[sgmb id=”1″]
Gianluigi Buffon mbetet madhështor, në fushë ku vendos rekorde, por edhe jashtë saj me vëmendjen që i kushton detajeve. Një prej tyre është edhe përshtypja që i ka lënë Shqipëria pas më tepër se dy dekadave distancë, kur si një talent i së ardhmes erdhi të luante me Parmën në fushën e Teutës.
“Kam qenë në Shqipëri thuajse 23 vjet më parë, pasi kam luajtur me Parmën ndaj Teutës. Kjo është hera e dytë që vij në vendin tuaj. Kanë kaluar shumë vjet, por më duket sikur Shqipëria po evoluon, është bërë një vend i bukur dhe me njerëz optimistë. Kjo më lumturon, sepse në fund fatet e Shqipërisë dhe Italinë janë ndërthurur gjatë historisë”, tha Gianluigi Buffon.
Histori, të cilën kapiteni legjendar i Italisë e njeh deri në detaje mahnitëse. Ashtu si qëndrimin e rilindasit Vaso Pasha, shkruan TCH.
“E njoh paksa historinë shqiptare, e kam studiuar dhe është shumë e bukur. Bëhet fjalë për një popull që ka identitet dhe krenari. Mbi të gjitha më bënte përshtypje kur lexoja në libra se: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. Kjo të bën të kuptosh bashkimin e madh që ekziston, përtej diferencave, mes të cilave edhe fetare. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë ndihen shqiptarë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme”, tha Gianluigi Buffon.
Lidhja e Shqipërisë me Italinë i ka kapërcyer të gjithë kufijtë, nga kultura te ekonomia, ndërsa Buffon përqendrohet në aspektin sportiv.
“Shumë lojtarë luajnë aktualisht në kampionatin tonë, të tjerë kanë luajtur ose janë rritur aty. Më vjen mirë që në këto vitet e fundit Shqipëria ka arritur rezultate të mëdha me këta futbollistë dhe me trajnerët italianë. Në këtë këndvështrim besoj se ju kemi ndihmuar për tu rritur në futboll. Panuçi është ish-shoku im i skuadrës, besoj se do të vazhdoni të përmirësoheni, pasi ai ka aftësinë dhe eksperiencën për të punuar mirë drejt kësaj rruge të re me Shqipërinë”, tha Gianluigi Buffon.