[sgmb id=”1″]
Dy persona, njëri prej tyre një personazh i njohur i botës së krimit, janë vënë në pranga nga Policia e qytetit të Durrësit në një aksion gjatë orëve të mbrëmjes të kësaj të marte.
Marjel Fierza, person me precedentë të rëndë penalë dhe që i ka shpëtuar dy atentateve në vitin 2010 dhe 2012, u vu në pranga në sajë të një operacioni të gjerë të policisë në të gjithë Shqipërinë, “Vjeshtë 2017”. Fierza ishte pjesë e bandës së Lulzim Berishës, nje personazh i njohur për të cilin edhe ambasadori Lu foli se është liruar para kohe me një vendim gjykate që lë për të dëshiruar.
Marjel Fierza 30 vjeç, banues në Durrës u vu në pranga së bashku me Genti Nderjaku 34 vjeç, gjithashtu banues në Durrës.
Arrestimi i tyre u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Porche’, me drejtues Marjel Fierza u gjetën 2 armë zjarri pistoletë tip Beretta dhe 6 celularë. Policia sekuestroi edhe automjetin.
Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
“Per çdo informacion qytetaret mund te telefonojnë falas ne numrin 129, Policia ju garanton anonimatin”, – thuhet në [përfundim të njoftimit zyrtar.
Ky operacion ka në fokus goditjen e grupeve kriminale si dhe sekuestrimin e pasurive që mendohet se janë vënë me të ardhura nga këto veprimtari të paligjshme.
Një ditë më parë ambasadori amerikan në Tiranë DOnald Lu bëri një deklaratë të fortë kur tha se në Shqipëri veprojnë 4 klane që sundojnë krimin në vend. Ai tha se goditja e tyre do të jetë e vështirë por se policisë i duhet ta ndërmarrë këtë hap. Ai foli edhe me emra për Emiljano Shullazin që komandon ende grupe kriminale nga burgu, apo paaftësinë e policisë për të kapur Klemend Balilin, të konsideruar ‘Escobarin e Ballkanit’.