Loading...

Vettingu/9 teknikat e gjyqtarëve për fshehjen e pasurive!

[sgmb id=”1″]

Mbi 750 gjyqtarë dhe prokurorë duhet të justifikojnë me dokumentacion ligjor, para organeve të Vetingut dhe përfaqësuesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ligjshmërinë e pasurive të deklaruara ndër vite.

Procesi i kontrollit të trefishtë, referuar paralajmërimit të fundit të ambasadores Romana Vlahutin, do të startojë brenda dy javëve.

Shqiptarja.com, gjatë gjysmës së dytë të muajit gusht, ka publikuar pasuritë e deklaruara pranë organit të verifikimit, të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, të niveleve të ndryshme të drejtësisë.

Nga verifikimi i deklaratave të pasurisë, në vite të ndryshme kalendarike, rreth 50 % e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndonëse vetëm me një ose dy paga të deklaruara ndër vite, rezultuan se kishin në pronësi pallate, hotele, karburante, komplekse sportive, dhjetëra apartamente brenda një viti, ferma, vreshta, lokale masive, makina të shtrenjta, troje në bregdet, troje në Tiranë, kontrata për ndërtim godinash, qindra mijëra euro llogari bankare, transaksione të natyrave të ndryshme etj., duke i dhënë sistemit të drejtësisë natyrën e korporate.

Ndërkaq, referuar disa verifikimeve dhe dosjeve të ILDKP, disa gjyqtarë dhe prokurorë kanë deklaruar vetëm pjesërisht pasuritë që posedojnë. Gjithsesi, për çdo pasuri të deklaruar, secili prokuror apo gjyqtar, ka një shpjegim dhe justifikim konkret, për burimin e parave.

Pavarësisht dyshimeve të forta, do të jenë organet e Vetingut dhe ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që do të konfirmojnë ose jo si të vërteta justifikimet e paraqitura nga njerëzit e drejtësisë për pasuritë e deklaruara. Shqiptarja.com ka identifikuar justifikimet më masive të njerëzve të drejtësisë për ligjshmërinë e pasurive të deklaruara.

1. Kreditë bankareKreditë bankare, me afat deri në 35 vjet, janë forma më masive e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme, në vite të ndryshme kalendarike. Disa gjyqtarë, edhe pse nuk kishin deklaruar më parë pasuri të paluajtshme, të cilat mund t’i linin si kolateral, befas, në një kohë të caktuar, deklarojnë kredi me vlera mbi 300 mijë euro. Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana dhe bashkëshorti i saj, Neshat Fana (ish-kreu i Shkollës së Magjistraturës) kanë marrë një kredi me vlerë 335 mijë euro, të cilën kanë nisur që ta shlyejnë që nga viti 2012.

Gjyqtarja e Apelit Tiranë, Fatmira Hajdari, në vitin 2007, ka marrë një kredi me vlerë 19 000 000 lekë, për rikonstruksionin e një ambienti të marrë me qira pranë Qytetit Studenti, me sipërfaqe 280 m2. Zonja, në deklaratën e pasurisë, thotë se kredinë po e shlyen djali i saj Kirjald Hajdari.

Nuk dihet se në ç’formë e ka marrë zonja një shumë kaq të madhe. Fatmira Hajdari, së bashkua me djalin e saj, Kirjald Hajdari, kanë lidhur edhe një kontratë për një ndërtesë 10-katëshe, i ndërtuar mbi një truall me sipërfaqe 890 m2. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, në vitin 2014, ka marrë një kredi në shumën 130 mijë euro. Dy vjet më vonë, pra në vitin 2016, Zenelaj, ka deklaruar në deklaratën e pasurisë 18 apartamente të reja dhe tre njësi ndërtimore në Ishull Shëngjin, Lezhë. Gjithashtu, edhe anëtari Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli, ka marrë disa kredi bankare me vlerë mbi 150 mijë euro.

Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Arjana Fullani, deklaron se bashkëshorti i saj, Ardian Fullani ka marrë një kredi në Bankën e Shqipërisë, për blerjen e një apartamenti. Anëtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar disa muaj më parë për korrupsion, deklaron se ka marrë një kredi 130 mijë euro, me afat 20 vjet, për blerjen e një apartamenti në Sarandë.

Ndërsa Adriatik Cama, Prokuroria e Tiranës, rezulton me katër kredi, në shumat 5 528 818 lekë, 750 000 lekë, 600 000 lekë dhe 840 000 lekë. Pothuajse 90 për qind e prokurorëve dhe gjyqtarëve, në vite të ndryshme kalendarike, kanë marrë kredi, kryesisht për blerje të pasurive të paluajtshme. Prokurorja e Tiranës Daniela Sulaj, deklaron tre kredi, 80 mijë euro kredi për shtëpi, sërish kredi për shtëpi 11 mijë euro dhe kredi profesionale 1 000 000 lekë. Gjyqtarja Anila Capo deklaron një kredi personale në Bankën Credins 130 mijë euro, ku detyrimi i mbetur është 125 962 lekë si dhe një hua 13 mijë euro, ku detyrimi i mbetur është 6 500 euro.

2. Huaja pa interesDisa gjyqtarë dhe prokurorë, si burim për justifikimin e transaksioneve apo investimin në pasuri të paluajtshme, deklarojnë edhe hua në shuma të konsiderueshme, pa interes. Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e dënuar po nga Gjykata e Lartë për korrupsion, deklaron se bashkëshorti i saj, i akuzuar gjithashtu për korrupsion, i ka marrë dikujt 50 mijë euro hua, për kryerjen e investimeve në biznes familjar.

Zonja deklaron se kontrata është lidhur në datë 14.07.2016, ndërsa afati i shlyerjes ishte në 31.12.2016. Rastësi apo jo, në të njëjtin muaj, pra në korrik të 2016, bashkëshorti i zonjës në fjalë u kap duke marrë një qese me 50 mijë euro në këmbim të një vendimi gjyqësor, në favor të palës që kishte paguar.

Neritan Cena, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, njëherësh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të justifikuar blerjen e disa pasurive të paluajtshme në Gjermani, në deklaratën e pasurisë për vitin 2016, thotë se i ka marrë kunatës hua 9 mijë euro, ndërsa djalit të xhaxhait i ka marrë 2 mijë euro.

Po gjatë vitit 2016, gjyqtari deklaron se i ka marrë kunatës 5 400 000 lekë hua, për blerjen e një apartamenti në Selitë të Tiranës. Adelajda Gjuzi, gjyqtare e Beratit, deklaron se ka marrë 1 680 000 lekë hua pa afat për blerje apartamenti. Gjyqtarja e Tiranës Antoneta Prendi thotë se ka marrë një hua 28 mijë euro për pagimin e këstit për blerjen e një apartamenti.

Prokurori Petrit Çano rezulton se ka blerë një apartament banimi 102.6 m2, me vlerë 7.5 milionë lekë. Ai thotë se paratë i ka marrë hua. Nuk mundojnë as raste kur gjyqtari apo prokurori, nuk merr hua, por jep, siç është rasti i prokurorit Bledar Maksudi, i cili rezulton se i ka dhënë borxh një shtetasi shumën prej 4 500 000 lekë.

3. Paratë dhuratë  Dhuratat nga të afërmit janë një tjetër formë e përdorur masivisht nga gjyqtarët dhe prokurorët, për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme apo shlyerjen para afatit të kredive bankare. Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Rezarta Mataj, ka deklaruar 35 mijë euro dhuratë nga gjyshja e bashkëshortit. Me këtë shumë, gjyqtarja ka mbyllur në 5 janar 2016 një kredi afatgjatë me vlerë 30 mijë euro për blerjen e një shtëpie. Nga kredia në fjalë, zonjës i kishin mbetur për të shlyer 27 mijë euro.

Bashkëshorti i saj, Blendi Breshanaj, deklaron gjithashtu 2 mijë euro dhuratë nga gjyshja. Me këto para ai ka blerë një makinë tip Benz. Gjyqtarja Mataj deklaron edhe 200 000 lekë dhuratë nga njerëz të ndryshëm pas lindjes së vajzës. Në një reagim të disa ditëve më parë, gjyqtarja tha se se gazetarëve nuk ka pse u vjen çudi për këtë dhuratë, teksa sqaroi se nënë Hyqmetja ka trashëguar nga babai tokë, ku nga shitja e një parcele trualli përfitoi disa mijëra euro.

Sipas saj, media nuk duhet t’i publikojë pasuritë e gjyqtarëve dhe justifikimet përkatëse, pasi për çdo deklaratë pasurie kanë paraqitur prova. Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Neritan Cena, për të justifikuar blerjet e dy pasurive të paluajtshme në Gjermani, thotë se motra e tij i ka bërë dhuratë 16 mijë euro.

Ai deklaron gjithashtu se babai i tij, Bajram Cena, i ka dhënë dhuratë 22 mijë euro. Cena shton se ka përfituar nga babai edhe një shumë tjetër 550 000 lekë. Prokurorja Mariola Mërtiri ka deklaruar se i ka dhuruar vjehrri 1 260 000 lekë për blerje apartamenti, ndërsa bashkëshortit të saj i ka dhuruar vëllai 1 000 000 lekë.

4. TrashëgimiaShtëpitë, paratë dhe pronat të lëna trashëgim nga prindërit, zënë një pjesë të rëndësishme të pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve. Për shembull, gjatë vitit 2016, Prokurori i Tiranës, Arian Përmeti, thotë se ka trashëguar nga babait 10 apartamente, tre 100 për qind të pjesës dhe shtatë me 50 për qind të pjesës.

Apartamentet e deklaruara nga prokurori kanë sipërfaqe 119 m2, 40 m2, 40 m2, 96 m2, 56 m2, 52 m2, 52 m2, 51 m2, 70 m2 dhe 53 m2. Prokurori Përmeti ka trashëguar edhe 10 qyqane, në përqindje të ndryshme, me sipërfaqe 177 m2, 97 m2, 18 m2, 42 m2, 48 m2, 97 m2 etj. Ai ka trashëguar po nga babai edhe 8 troje, kryesisht 1/6 pjesës, me sipërfaqe të ndryshe nga 3 000 m2 deri në 70 m2. Gjatë vitit 2016, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni, deklaron katër pasuri të reja të paluajtshme, konkretisht terren sportiv, lokal, tokë bujqësore dhe shtëpi banimi, të lëna trashëgim.

Gjyqtari deklaron një shtëpi banimi në Lushnje, me sipërfaqe 74 m2, me dëshmi trashëgimie, 66.6 % të pjesës. Gjermeni është gjithashtu pronar në masën 100 % i një toke bujqësore, me sipërfaqe 1 856 m2, në fshatin Kutje të Lushnjes, përfituar me dëshmi trashëgimie.

Ai deklaron se posedon 20 % të një terreni sportiv, me sipërfaqe 1 092 m2, i mbuluar dhe me dhoma zhveshje. Po gjatë vitit 2016, gjyqtari është bërë bashkëpronar në masën 20 % i një tjetër pasurie të paluajtshme, ku përfshihen truall me sipërfaqe 450 m2 dhe ndërtesë, bar kafe, 1 kat me sipërfaqe 90 m2, fituar me trashëgimi. Prokurori i Sarandës, Arben Pasha, deklaron se ka përfituar me testament banesë private me sipërfaqe 93 m2 dhe truall.

5. Bashkëshortet dhe bashkëjetuesetBurimi i pasurive të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve janë bashkëshortet. Shembulli më klasik është ai i gjyqtarit dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni, i cili ka sqaruar pranë ILDKP se pasuritë e tij, kryesisht vijnë nga bashkëshortja, e cila është pronare e disa kompanive.

Gjin Gjoni, në deklaratat e para të pasurisë, në vitet 2004-2005-2006, deklaron vetëm pagën si gjyqtar dhe të ardhura si ekspert i KE për luftën kundër terrorizmit. Në vitin 2011, pasuria e Gjin Gjonit, shtohet. Pasuritë e reja, Gjin Gjoni i shpjegon me pozitat e bashkëshortes së tij, Elona Çaushi. Në 2011, çifti deklaron shitje apartamenti 180 000 USD, blerje apartamenti 53 200 000 lekë, zgjidhje kontrate porosie për apartament 140 000 euro, qira dyqani 9 000 euro, tërheqje borxhi 56 100 euro, Elona Çaushi pagë 3 816 000 lekë, divident pranë shoqërisë ADFD 17 299 390 lekë dhe disa llogari bankare në vlerat 95 807 lekë, 1 040 USD, 31 euro, 4 773 euro, 248 683 lekë, 187 paund, 4 980 franga zvicerane, 2 000 euro, 0.83 euro, 558 franga zvicerane dhe 2 600 euro. Në 2014, ata deklarojnë gjendje cash 10 000 euro, të ardhura nga qiraja e një lokali 24 000 euro, një kontratë sipërmarrje 79 000 euro, depozitë të shtuar me 270 495 euro, tërheqja e dividendit në ADFD, 13 000 000 lekë dhe 36 000 000 lekë, paga nga ADFD 8 751 000 lekë.

Në 2015, deklarojnë të ardhura nga qiraja 16 mijë euro, depozitë bankare 155 mijë dollarë, llogari bankare, 47 mijë euro, dhënie në formën e obligacioneve 165 mijë euro, dhënie borxhi kompanisë “Albania Duty Free Distribution” 130 mijë euro, llogari bankare 12 mijë euro, gjendje cash 10 mijë euro, tërheqje dividenti 23,525,412 lekë dhe pagën e zonjës Çaushi 10,678,000 lekë. Prokurori Sokol Malaj, sipas deklaratës së pasurisë, rezulton se ka blerë dy apartamente dhe tre garazhe, kryesisht me parë që ka fituar bashkëshortja.

Konkretisht, Sokol Malaj deklaron se ka blerë një apartament banimi me sipërfaqe 96 m2 dhe 51 m2, si dhe garazh, me vlerë 78 775 euro. Si burim për vlerën e parave, prokurori deklaron të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’, e bashkëshortes, Ana Malaj.

Po gjatë vitit 2016, Malaj deklaron blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 176 m2, si dhe dy garazhe, me vlerë 15 990 500 lekë. Si burim, ai referon një kredi bankare 6 000 000 lekë si dhe të ardhura të realizuara nga biznesi ‘klinikë dentare’ e bashkëshortes. Bledar Abdallai, gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, deklaron në emër të bashkëjetueses apartament në Tiranë, me sipërfaqe 118 m2, 7 758 900 lekë. Bashkëjetuesja e tij, Alma Osmanaj, thotë se ka bërë 7 punës njëherësh, si notere në Tiranë 13 049 443 lekë, në Ministrinë e Drejtësisë 3 047 836 lekë, si juriste pranë QSUT 94 237 lekë, si pedagoge pranë ‘Albanian University” 17 100 lekë, të ardhura nga punësimi jashtë vendit 73 845 USD, të ardhura nga punësimi pranë Projektit të Grupit të Krizave Ndërkombëtare 1 350 euro, të ardhura nga shërbimi lidhur me ReSPA, financim nga BE, 3 mijë euro.

6. Shet shtrenjtë dhe blen lirëBlerja e pasurive me çmim të lirë dhe shitja me çmim më të shtrenjtë, në një hark të shkurtër kohor, është një tjetër praktikë e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kryeprokurori Adriatik Llalla, rezulton se, më 24.06.2016 ka shitur një ullishte me sipërfaqe 3000 m2 në Mjull-Bathore, Tiranë, me vlerë 249 000 euro.

Disa muaj më vonë, konkretisht më 05.12.2016, ka blerë tokë arë me sipërfaqe 4500 m2 në Tiranë, me vlerë 4 500 000 lekë. Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, thotë se bashkëshorti i saj, Neshat Fana, i njohur si avokat i ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryetar i Shkollës së Magjistraturës, ka blerë në vitin 2015, një livadh në Himarë, me sipërfaqe 2000 m2, 600 mijë lekë. Po gjatë këtij viti, Neshat Fan ka tërhequr nga një shoqëri tregtare 10 115 000 lekë, ku nuk deklarohet arsyeja e tërheqjes.

Çifti thotë e ka blerë një apartament me sipërfaqe 127 m2, me vlerë 170 000 euro si dhe mbi 60 mijë euro makina. Vetëm brenda një viti kalendarik, ata deklarojnë 30 mijë euro të ardhura nga dhënia me qira e një parlamenti me sipërfaqe 143 m2 në Tiranë. Në vitin 2013, Fana ka deklaruar 80 mijë euro të ardhura nga 2F-Grup shpk.

7. Qiratë nga lokalet, zyrat dhe pronatQiratë e lokaleve, zyrave dhe ambienteve të ndryshme, zënë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave vjetore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për vitin 2016, prokurori Arian Përmeti, deklaron të ardhura nga qiratë në shumat 408 000 lekë, 4 mijë euro, 360 000 lekë, 190 000 lekë dhe 3 mijë euro.

Gjyqtari Tritan Hamitaj ka deklaruar 200 000 lekë të ardhura brenda një viti nga toka bujqësore në Hekal, Mallakastër. Gjyqtarja pranë Gjykatë së Durrësit, Shpëtime Pitaku, posedon pesë lokale dhe klinikë, biznese të cilat i ka dhënë me qira. Vetëm nga njëri lokal ka deklaruar mbi 9 mijë euro të ardhura vjetore.

Ndërsa Evelina Qirjako, anëtare e Gjykatës së Lartë, ka pronat dhe ambientet e lëshuara me qira, deklaron të ardhura vjetore 40 mijë euro dhe 2 958 000. Artan Zeneli, një tjetër anëtar i Gjykatës së Lartë, të ardhura nga qiratë deklaron 20 400 euro. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj, deklaron 30 mijë euro të ardhura vjetore nga dhënia me qira të lokaleve dhe ambienteve të banimit në Shëngjin.

8. Bizneset e çuditshmeDisa gjyqtarë dhe prokurorë deklarojnë të ardhura nga biznese të çuditshme. Për shembull, gjyqtari i Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa, i dënuar në vitin 2016 për fshehje pasurie, ka deklaruar se ka fituar 400 000 lekë të ardhura vjetore si anëtar i familjes bujqësoren nga prona në Librazhd, me 60 dele, 27 dhi dhe dy lopë. Anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, posedon një karburant në Vlorë, ku është bashkëpronar në ½ pjesë me bashkëshorten.

Ai deklaron nga 50 mijë euro në vit të ardhura nga qira e karburantit. Prokurori Sokol Malaj deklaron biznes ‘klinikë dentare’ i bashkëshortes. Ndërsa, disa gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë deklarojnë të ardhura nga agjencitë e udhëtimit, ndërsa prokurori Ardian Ylli deklaron biznes parukeri në emër të bashkëshortes.

9. Kursimet nga pagaDisa prokurorë dhe gjyqtarë deklarojnë blerjen e apartamenteve me kursime nga paga. Arben Pasha, Prokuror në Sarandë, thotë se ka blerë një apartament banimi 100 m2, me kursime.

Ndërsa prokurori Urim Buci deklaron prona, një shtëpi trekatëshe dhe një benz, të blera me para nga emigracioni. Prokurori i Tiranës, Ylli Pjetërnikaj deklaron blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 112 m2, me vlerë 40 mijë euro, blerë me nga të ardhurat e grumbulluara ndër vite dhe nga punësimi i anëtarëve të familjes.

Prokurori ka blerë edhe një garazh, 5 mijë euro, para të cilat ia thotë se ka dhënë bashkëjetuesja. Ndërsa prokurori Ndini Tavani thotë se ka blerë një makinë me vlerë 900 000 lekë me kursime nga paga e bashkëshortes. Prokurorja Miranda Bushi deklaron se ka blerë një makinë me vlerë 38 mijë euro, me kursime dhe para dhuratë dërguar nga vajza.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com