Loading...

Vetting, dhjetëra dëshmitarë kundër gjyqtarëve për raste korrupsioni

[sgmb id=”1″]

Dhjetëra qytetarë kanë mësyrë në dyert e organeve të Vetingut, për të dëshmuar rreth praktikave korruptive të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë ndër vite.

Ndonëse ende nuk ka startuar procesi i kontrollit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale, prej disa muajsh, në dyert e institucioneve të Vetingut kanë trokitur një numër i madh njerëzisht, për të denoncuar me emra konkretë prokurorët dhe gjyqtarët, të cilat u kanë marrë para në këmbim të dhënies së drejtësisë apo në këmbim të vendimeve në favor të tyre.

Interesi i pazakontë për të dëshmuar dhe për t’u bërë bashkëpunëtorë të drejtësisë është konfirmuar dje nga kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj, gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua organika dhe pagat e organeve të Vetingut.

Zonja Mulaj u shpreh se që gjatë muajve të verës, në zyrat e Kolegjit të Apelimit kanë ardhur një numër i madh qytetarësh, për të denoncuar abuzimet në drejtësi, bazuar në ligjin e Vetingut, i cili parashikon mbrojtje të posaçme për dëshmitarët kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe marrjen mbrapsht të shumave që kanë paguar në këmbim të vendimeve.

Zonja tha se fluksi i denoncimeve është i paimagjinueshëm. “Po ju them diçka. Populli i ka sytë tek ne. Ka katër muaj që ne të gjithë gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit po rrimë në një zyrë tek Pallati i Kongreseve. Gjatë gjithë verës zyra jonë ka qenë e hapur. Ka aq fluks denoncimesh sa ju nuk e imagjinoni dot. Jam detyruar që të nxjerr gardën, kam kërkuar që të vendos roje tek dera pasi nuk e përballoja dot fluksin.

Ne, me këtë proces, jemi futur në një rrugë, duke luftuar një sëmundje të rëndë të shtetit shqiptar, që është korrupsioni”, tha zonja Mulaj, duke konfirmuar pritshmërinë e madhe të shqiptarëve në këtë proces. Nxitja e denoncimeve konkrete të publikut kundër njerëzve të drejtësisë është stimuluar nga ndërkombëtarët, të cilët këmbëngulën për të parashikuar një bazë ligjore në ligjin e Vetingut.

Bashkëpunëtori
Ligji për Vetingun ka një nen për bashkëpunëtorin e drejtësisë, zbatimi i të cilit mund të ‘djegë’ shumë gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë përfshirë në veprimtari korruptive.

Neni 54 parashikon mbrojtje të veçantë dhe amnisti për çdo qytetar, i cili ka marrë pjesë në vepër penale me një gjyqtar apo prokuror, por që shpreh vullnetin për të bashkëpunuar me organet e Vetingut, duke dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.

Sipas ligjit, bashkëpunëtori i drejtësisë, në këtë rast nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë.

Ndërkaq, gjyqtari apo prokurori që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka
humbur gjatë kalimit të kohës.

Kontrolli i pasurive, kushti kryesor
Verifikimi i ligjshmërisë së pasurive të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kryefjala, deviza dhe objekti kryesor i ligjit të Vetingut. Ligji përmban parashikime të qarta dhe shteruese sa i përket fatit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët nuk justifikojnë pasuritë e deklaruara me dokumentacion ligjor, kanë fshehur pasuri, kanë bërë deklarata të rreme, kanë pastruar para apo kanë falsifikuar dokumente. Neni 61 i ligjit të Vetingut parashikon që Komisioni i Rivlerësimit (organ i Vetingut) vendos të shkarkojë nga detyra gjyqtarin apo prokurorin, kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të. Vendimin e Komisionit të Vlerësimit, gjyqtari apo prokurori ka të drejtë që ta ankimojë në Kolegjin e Apelimit, organit më të lartë të Vetingut, i cili do të thotë fjalën e fundit për dosjen e subjektit të rivlerësimit. Në këtë rast, subjekti i rivlerësimit nuk ka të drejtë të shqyrtojë dhe të gjykojë çështje. Ai është i detyruar të ofrojë një adresë elektronike alternative për vazhdimin e komunikimit me institucionet e rivlerësimit, gjatë gjithë procesit.

Bashkëpunëtori i drejtësisë
1. Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e
rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.

2. Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh
vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.

3. Personi ka të drejtë përfaqësohet nga mbrojtësi i tij ligjor.

4. Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë
informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.

5. Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e
marrëveshjes së bashkëpunimit i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të
rivlerësimit.

6. Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë
nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme, për të cilën mban përgjegjësi penale, sipas legjislacionit penal.

7. Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin.

Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës.

Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt dhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100 000 lekë pa shkak të ligjshëm, që nga 1.1.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com