[sgmb id=”1″]
Shokues ky shkrim i publikuar nga portali “Lapsi.al” që drejtohet nga analistët Andi Bushati e Armand Shkullaku.
“Krimi në Elbasan/ Fijet që çojnë tek Qazim Sejdini”, titullohet artikulli që në fund të çon drejt një mbylljeje fatale: paralajmëron vrasjen e kryebashkiakut të Elbasanit. “Ai e di se vetëm prej tyre mund t’i ndërpritet kariera politike dhe jo vetëm”, shkruan portali i drejtuar nga Bushati e Shkullaku në një shkrim të paprecedentë në historinë e medias shqiptare.
Qazim Sejdini është vënë sërish në qendër të sulmeve për shkak të përplasjes së hershme të dy bandave të Elbasanit, historisë 20 vjeçare të hasmërisë mes fiseve Mema dhe Çapaj që vazhdon të shkaktojë viktima.
Përballë gjithë kësaj historie, kryebashkiaku i Elbasanit, ndonëse ka pushtetin lokal në duart e tij, ka mbetur i vetëm dhe pa mbështetje. Zyrtarë të PD akuzojnë Sokol Sanxhaktarin, dhëndrrin e Sejdinit, si pjesë të bandës që goditi makinën e policisë natën e 13 shtatorit.
Sakaq, mbrëmë gazetari Artan Hoxha në emisionin “Studio e Hapur” aludoi se kryetari i Bashkisë së Elbasanit është marrë nën mbrojtje speciale nga forcat e policisë për shkak të situatës së krijuar në qytetin e drejtuar nga Sejdini, ku me ç’duket, bandat nuk po “lajnë dot hesapet” deri në fund.
Drejtori i Hetimit të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit Idajet Faskaj as nuk e pohoi por as nuk e mohoi marrjen nën mbrojtje por në një kohë kur gjithçka është nën hetim, një portal duket se i ka mbyllur të gjitha “hetimet” dhe merr guximin të thotë para lexuesve që Qazim Sejdinit rrezikon t’i pritet jeta.
“Lala nuk i trembet, as sulmeve të PD-së. Demokratët i ka mundur në katër gara me radhë (edhe njëherë si deputet) ndaj nuk i frikësohet deklaratave të Bashës dhe Berishës që e akuzojnë si trafikant droge të lidhur me bandat më të rrezikshme të qytetit.
E vetmja gjë së cilës ai i druhet realisht janë ata prej të cilëve u pajis me eskortë. Sepse ai e di se vetëm prej tyre mund t’i ndërpritet kariera politike dhe jo vetëm”, shkruan Lapsi.al duke paralajmëruar kështu vrasjen e kryebashkiakut e duke i “mbyllur rrugët” policisë e Prokurorisë.
Rasti tipik kur media harron rolin dhe funksionin e saj duke marrë përsipër të bëjë vetë gjykatësin dhe prokurorin… e në këtë rast edhe ekzekutorin.