[sgmb id=”1″]
Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë është shndërruar në një mbledhje maratonë prej 4 orësh, çka do të thotë se problemet në partinë më të madhe të opozitës, janë të mëdha dhe bashkimi mes palëve është i vështirë. Lulzim Basha foli për bashkim, por nuk pranoi tezën kryesore të kritikëve të tij për bashkim.
“Sa kohë të jem unë kryetar i PD-së, nuk do të ketë fraksione në Partinë Demokratike, por do të ketë hapësirë për këdo demokrat, që do të kontribuojë për qëllimin e përbashkët, i cili është një qëllim kombëtar, jo thjesht një qëllim i PD-së, për të çliruar vendin nga zgjedha e krimit, nga bandat që qeverisin sot, si aleate të denja të Edi Ramës, që i përdori ata për të marrë pushtetin”, tha Basha.
Basha nuk tha një propozim konkret për bashkimin, pasi pret një rezultat nga analiza 8-javore me bazën, një vendim unanim ky i kryesisë, pavarësisht linjave kundërshtare.
“Lajmi i sotëm është vendimi unanim i kryesisë së PD-së, për të nisur menjëherë një proces analize dhe konsultimi me bazën demokrate, duke përfshirë të gjithë simpatizantët e PD-së, me qëllim, forcimin e PD, reformimin, bashkimin dhe përballjen me Edi Ramën”, u shpreh lideri i PD-së.
Megjithëse refuzoi fraksionet, në partinë Demokratike, Basha lajmëroi ndryshimet në statut, edhe ky një vendim unanim i kryesisë.
“Një grup pune do të punojë paralelisht me procesin e konsultimit me anëtarësinë, i cili po kështu, do bëjë që zëri i çdo anëtari të Partisë Demokratike të dëgjohet, për ta bërë PD-në më të fortë, më demokratike dhe më të aftë për t’u përballur me të keqen”, tha Basha, raporton TCH.
Gjatë mbledhjes pati edhe një moment tensioni, kur u shmang edhe një përplasje fizike mes dy anëtarëve të kryesisë, Jemin Gjana dhe Valbona Mezini, pas akuzave të kësaj të fundit për manipulim të rezultatit për zgjedhjet në parti.