[sgmb id=”1″]
Një grup i ri pune është ngritur pranë Partisë Socialiste, detyra e të cilit është të merret me emërimet dhe shkarkimet në administratë. Tre deputetet që do të drejtojnë grupin janë Blerina Gjylameti, Evis Kushi dhe Vilma Bello. Performanca e administratës për emërimet, shkarkimet apo zëvendësimet do të kalojë në sitën e këtij grupi pune, përpara avancimit të mëtejshëm.
Një grup i ngjashëm u ngrit edhe në vitin 2015, të cilin e drejtuan deputetet Gjylameti dhe Kushi. Kësaj here, secila prej drejtuesve do të analizojë dhe vlerësojë performancën, kapacitetet dhe emërimet në administratën publike në katër qarqe të vendit. Pra, një drejtuese për katër qarqe.
Blerina Gjylameti është diplomuar në fushën e ekonomisë në FEUT, në Salerno Itali dhe është kandidate “Doktor Shkencash”. Ka punuar si pedagoge me kohë të pjesshme në Fakultetin e Ekonomisë dhe pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Menaxhimit në Universitetin Ushtarak Skënderbej.u zgjodh deputete e PS në vitin 2013 dhe rrugëtimin në politikë e nisi një vit para zgjedhjes, si Kryetare e Forumit të Gruas Socialiste.
Evis Kushi është diplomuar gjithashtu nga Fakulteti Ekonomik në degën Administrim-Biznesi, ka studiuar në Angli ku ka marrë doktoraturën në Ekonomi Turizmi dhe është “Profesor i Asociuar” titull dhënë nga Universiteti “Aleksandër Moisiu”. Kushi ka një karrierë të pasur në universitet, pasi ka punuar si lektore në disa Universitete, e ka shërbyer si dekane. U zgjodh deputete e PS në vitin 2013 dhe është anëtare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat.
Vilma Bello është diplomuar për Gjuhë Shqipe në Fakultetin Histori-Filologji. Në po të njëjtin fakultet ka fituar gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe po në të njëjtin vit (2009) ka marrë tiutllin “Docent”. Ka ushtruar profesionin e pedagoges në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe përgjatë viteve ka mbajtur pozicione të ndryshme aty. Gjithashtu ka punuar si mësuese në një shkollë të mesme dhe në një shkollë 9-vjeçare.