Loading...

Djali nga qyteti i Vlorës, që bënte pazar për dërgimin në Angli me 10 mijë euro…

[sgmb id=”1″]

Djali nga qyteti i Vlorës, që bënte pazar për dërgimin në Angli me 10 mijë euro…

Fiks Fare zbuloi një grup të gjerë trafikantësh që dërgonin klandestinë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Nëpërmjet kamerave të fshehta, gazetarët dokumentuan të gjithë rrugëtimin e shqiptarëve drejt “tokës së premtuar”. Sekserët kërkonin nga 9 deri në 11 mijë euro për dërgimin e një qytetari drejt Anglisë.

Gazetarët ranë në gjurmët e trafikantëve nëpërmjet rrjeteve sociale. Më pas, biseda në telefon dhe në fund takimet, të cilat u zhvilluan në qytetin e Vlorës.

Sekserët i treguan gazetarëve të “Fiks Fare” rrugëtimin, ku udhëtimi nga Shqipëria drejt Belgjikës bëhej me autobus. Kalimi drejt Britanisë së Madhe realizohej me autobusë, kamionë ose jahte. Sekserët treguan se kanë dhjetëra “prenotime”, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sipas tyre, meshkujt trafikohen më lehtë, ndërsa vajzat dhe fëmijët janë shumë të vështirë, çka përkthehet në shuma më të mëdha për t’u paguar.

Biseda në rrjetet sociale
Britania e Madhe është kthyer në “tokën e premtuar” të shumë të rinjve shqiptarë, të cilët gjejnë mënyra nga më të ndryshmet për t’u futur ilegalisht në Mbretëri. Shqiptarët shfrytëzojnë të gjitha rrugët për të shkuar në Angli, Uells apo Skoci. Fiks Fare zbulon një prej rrjeteve të trafikantëve që çojnë klandestinë shqiptarë, pa viza. Shuma që duhet të paguajnë shqiptarët varion nga 8 deri në 11 mijë euro.

Gazetarët e Fiks Fare ranë në gjurmët e trafikantëve në portalin “Jeta osh qef”, ku u postua historia e një djali nga Dibra që niset drejt Londrës, pa vizë dhe dokumente. Në komentet që i ishin bërë kësaj historie ra në sy komenti i një djali nga qyteti i Vlorës, që bënte pazar për dërgimin në Angli me 10 mijë euro.

Fiks Fare kontaktoi me këtë person, fillimisht nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Një gazetare e Fiksit i prezantohet si një vajzë që ka të dashurin në Angli dhe do të bashkohet me të. Ai i kthen përgjigje, ku i shkruan se duhen para. Pazarin e bën në bisedën në inboks në rrjetin social “Facebook”. Në bisedë, sekseri i thotë se vajtja në Angli bëhet me autobus dhe i lë një numër telefoni, duke i lënë takim në qytetin e Vlorës. Gazetarja e telefonon, por ai nuk flet gjatë dhe i kërkon që ta takojë nga afër.

Pazaret në qytetin e Vlorës
Gazetarja e Fiks Fare takon djalin në qytetin e Vlorës, i cili ka rolin e sekserit. Ai i premton se do e çojë te personi që merret direkt me klandestinët që të çojnë në Angli. Takimi bëhet në rrugë dhe djali tregohet mosbesues. I thotë gazetares që të hipi në makinën e tij dhe e çon vetë te lokali i personit që merret me këtë punë. Në bisedë e sipër, ky i fundit merr përsipër që të bëjë dërgimin e gazetares drejt Anglisë, kundrejt pagesës që varion nga 9 deri në 11 mijë euro. I tregon se 3 ditë para takimit me të, ka nisur disa persona. Me meshkuj e ka më lehtë të punojë. Ai i pajis me pasaportë false dhe kalimi bëhet nga Belgjika. Transporti nga Shqipëria drejt Belgjikës bëhet me autobus ose kamion. Thotë se janë disa rrugë për në Angli, me kamionë, autobusë ose jahte, por pa vulosur dokumente.
Pas këtij takimi, djali që merret personalisht me klandestinët i kërkon gazetares që të vijë një ditë tjetër. Në bisedën e dytë, të zhvilluar po në qytetin e Vlorës, ai i thotë se duhet të presim pak, pasi kishte qenë në Shkodër, ku kishte takuar kokën e rrjetit të këtij trafiku. Kishin nisur 3 fëmijë dhe janë 18 vetë që presin në radhë. Llogaritë për t’u nisur janë 3 ditë për çdo person.
Takimi i parë

Fiksi- Si je, si të kam? Ça bën?
Sekseri 1- Tashti vëllai im po pret atje, do i thuash njihemi dhe kaq o vëlla.
Fiksi- Ti ke letra të rregullta?
Sekseri 1- Po jo moj me falso. Po pse e vret mendjen o vëlla, do vesh te burri. Nuk ëëë… po ai (vëllai) atë punë bën. Ky vëllai im e di ti çfarë përgjegjësie mban? Luan me jetë, është, duhet të jesh shumë i saktë. E di sa në stres jemi ne kur nisim njerëz?

Dalim nga makina shkojmë në kafe të takojmë vëllain e tij

Sekseri 2- Hajde, si je mirë?
Fiksi- Si ke qenë ti?
Sekseri 2- Po mirë.
Fiksi- Atëherë, unë kam fol pak me sekserin 1, po për më tepër po të lë ty që të flasësh.
Sekseri 2- Si e ke emrin
Fiksi- E…
Sekseri 2- Ti do të ikësh andej. Rrugë për të ikur ka. Ka një sërë rrugësh. Po çështja që duhet të marrim disa konfirmime që çështja sa më të sakta sa më të lehta. Të ishe mashkull do të kisha nisur edhe para ca ditësh. Po që ato janë rrugë që ikin, 3, 4 veta bashkë. Po mundohem të të gjej një rrugë që të ikësh vetëm. Në vend të parë, mund të ikësh me ndonjë teseri.
Fiksi- Me çfarë?
Sekseri 2- Me ndonjë teseri, për shembull është kamionisti është dhe shoqëruesi.
Fiksi- Aaa bexh pune?
Sekseri 2-Po, po. Nuk të pyet njeri për asnjë gjë, maksimumi i thua italianit atje, ktu. Në momentin që do ikësh lart, do të kem marrë adresën e burrit ku është apo ku do të presë. Do t’i themi burrit në ça vendi është. Edhe pse normalisht në rrugët që kemi duam ta çojmë deri në derë të shtëpisë. Se jashtë nuk është si këtu, jashtë thjesht jep një numër, e vendos te navigtori atje edhe në derë të shtëpisë. Kur të vijë momenti, se është çështje ditësh, se është çik merak kjo punë, Se kanë edhe ata një listë, kanë disa njerëz, se kështu funksionon. Që të jenë të rregullt.
Fiksi- Të kuptoj.
Sekseri 2- Para se të ashtu.. unë do marr njëherë detajet e mia, në moment që do të them çmimin, çdo pyetje që do më thuash do të jap përgjigje. Ideja, që pak a shumë të kesh një ide, mund të ikësh në Belgjikë një, dy ditë para. Normalisht do rrish në hotel atje. Normalisht do kesh njerëz që të presin, po s’isha unë, do jetë dikush tjetër.
Fiksi- Dori unë dua vetëm këtë pjesën, që shkova në Belgjikë, për të kaluar në Angli me makinë apo me avion përsëri?
Sekseri 2- Jo, jo. Do jesh o me kamion o me autobus. Nga kamioni sa të futesh te treni poshtë nën det dhe do zbresësh poshtë në tren se do vesh të ulesh në restorant, në tren 45 minuta je në Angli.
Fiksi- Pozicioni ku do rri në kamion?
Sekseri 2- Jo, jo ulur, ti do rrish në vend të parë në kamion. Mund të më japësh tek fotografi të të bëhet një dokument primar. Në momentin që do më japësh fotografi mua, ka mundësi të vij dhe unë në Belgjikë, edhe do e marr dikush tjetër atë (foton). Ai dikush nxjerr një dokument tjetër atje. Çështja është që ti do vesh do hipësh dhe nuk të pyet njeri për asgjë.
Fiksi- Po për të kaluar, kur kalon kufirin për në Angli?
Sekseri 2- Ke 2 kufi. Kaluam kufijtë aty, andej s’ke.
Fiksi- Po personi që do jem në makinë, di ndonjë çikë shqip që të merrem vesh?
Sekseri 2- Personi që do jetë në makinë është italian. Domethënë rruga do jetë 2, 3 orë.
Fiksi- Mirë atëherë …, për çmimin mesa di unë 10 mijë euro?
Sekseri 2- Për çmimin do ta pres unë, edhe në momentin që do të pres çmimin do të them dhe gjithë itinerarin tënd, çdo bësh. Rruga, kur, ku do hipësh, ku do zbresësh. Po që të krijosh një ide tënden, nga këtu do vesh në Belgjikë, në Belgjikë do rrish 1, 2, 3 ditë. Nga aty makinës në Angli, në Angli në taksi, nga taksi në shpi. Domethënë si ide punë, më kupton se kështu është. Po mund të ikësh me jaht, mund të ikësh me kamion, mund të ikësh me autobus. Adresa e shtëpisë e saktë, se atë adresë ai e vë te navigatori, se ai nuk merr në telefon. Dhe një dëmtimi jot si na ana dokumentare nga këto, domethënë është shkatërrimi im, ose falimentimi jonë si punë. Prandaj mos e vri mendjen.
Fiksi- Kështu D…. Atëherë ti do më marrësh në telefon?
Sekseri 2- Unë herën tjetër që do të marr në telefon, do të jap detajet përfundimtare. Unë kam ikur në 2009.
Fiksi- Nga Italia apo…?
Sekseri 2- Jo, jo nga Belgjika, s’ka rrugë tjetër, këtej vetëm me dokumente false.
Fiksi- Unë s’do bëj as letra false asgjë?
Sekseri 2- Nuk ke punë ti vajzë, ti thjesht do paguash, asgjë tjetër.
Sekseri- J… ti do vesh te burri.
Fiksi- Nuk do vulosësh në kufi?
Sekseri 2- (qesh) Do të hedhësh ndonjë vulë ti? Po hidhe ndonjë vulë (ironizon). Ti do ikësh me dikë që ai e ka metodë pune. E ka punë atë. Është një ndërmarrje në Itali apo Rumani apo në Kroaci, ajo ndërmarrja ka një shofer, shoferi një shoqërues. Ti je shoqëruesja. Ose mund të ikësh me jaht ose anije, mund të ikësh si punonjëse. Ti do ikësh me një rrugë që nuk të shohin dokumentacionin.
Fiksi- Kjo që thua ti me përafërsi sa mund të shkojë?
Sekseri 2- Rrugët atje varionë 9, 10, 11 (mijë euro). Më pak, më shumë nuk ka. Këto janë rrugët. Pastaj ke dhe rrugë të tjera, po që të vonojnë ty dhe nuk i ke të përshtatshme. Ke me pasaportë italiane, ke me pasaportë rumune, ke me pasaportë lituaneze. Po jo pasaportë false, po të dalë nga komuna, Që e ke…
Fiksi- Ça thua mo?
Sekseri 2- Po, po, po e ke përgjithmonë. Po duhet të speak (flasësh gjuhen) diçka. I ke me pasaporta të dala nga vendi që s’ka perëndi të të thotë jo po është false. Ja hedh surratit edhe mos të flasësh asnjë fjalë. Po që ato vonojnë një çik, jo duhet të vesh ne Rumani, të japësh shenja gishtërinjsh. Po i them direkt, ik në Rumani tako filanin, vë gishtat, vjen poshtë, vetëm kur e marrim në telefon.
Sekseri 2- Ty e vetmja pasaportë që të intereson është British.
Fiksi- Hajde paçim, ciao, gjithë të mirat!

Takimi i dytë

Fiksi- Si të kam njëherë, si je?
Sekseri 2- Mirë ça bën?
Fiksi- Si ke kaluar, nga shtëpia mirë?
Sekseri 2- Ti në Tiranë rri?
Fiksi- Po .
Sekseri 2- Po në Tiranë me kë rri?
Fiksi- Me familjen mo vëlla, me prindërit.
Sekseri 2- Tashti, jashtë detyrës që kam unë. Në Angli kë ke?
Fiksi- Po të thashë pra.
Sekseri–Të fejumin?
Fiksi- Po.
Sekseri 2-Në qoftë se ke mundësi edhe do të ikësh në Angli, për mua prit edhe ik në Angli. Se sido qoftë andej do hedhesh poshtë 3 vite jetë, po që nuk ka lidhje fare me këtu, se unë kam qenë në Angli. Bëra 2 vjet unë andej. Unë e dogja për shokun. Anglia prime country, vend i parë.
Fiksi- Po mirë, mirë nuk e vë në diskutim, po ama ta di të sigurt që do shkoj apo jo.
Sekseri 2- Shiko për të vajtur andej, vihet. Unë të kam gjetur një diçka të mirë, vetëm që ka një çik radhë.
Fiksi- Në ç’kuptim?
Sekseri 2- Me gjëra të tjera më kupton nuk dua të të pleks, se kisha dhe një njeri tjetër, ai më është bllokuar tani, me pak llafe e kanë arrestuar (bashkëpuntor). Ai ka pune ekstreme në Francë, po për ça e arrestuan do thuash ti, ai rrit nga këta haski (qenë). Dhe është e jashtëligjshme. I dalin haskit në qytet atij, e këpusin e fusin në burg. Me shpi, në Francë ai, me punë, me 3 kamionë që punojnë lart e poshtë. Dhe ai më preu krahët, se me atë kisha dhe 3 të tjerë në radhë. Kurse kjo rruga tjetër që është të keqen unë tyja, kjo është ekstrem, vetëm se ka radhë, janë 18 veta. Kam qenë dje unë në Shkodër, se në Shkodër është ai maja, i thash e kam femër edhe është për të firmosur dokumentet, i kanë dalë dokumentet edhe është për të firmos (në Angli). Nga 32, ma çoi 18. Më tha mua, 18 më para s’ta bëj dot. Se janë nja 3 fëmijë, më përpara janë ca njerëz të tjerë. Ca njerëz të tjerë që janë fut dhe ata me mik, me radhë. Më uli ai dje mua, më uli 14 radhë. 18 veta domethënë, do i bësh llogari me nga 3 ditë.
Fiksi- Sa i bie?
Sekseri 2- Nuk e di, është e vetmja mënyrë që unë të garantoj, do ikësh si zonjë tamam.
Fiksi- Po, po nuk jam unë për kamionë.
Sekseri 2- Jo, moj jo ata të kamionëve e kanë me vende, për 3 veta, nuk është çështja aty. Ikin, po nuk të shoh te ajo lloj rruge, ti do ikësh si njeri tamam.
Fiksi- Ideja është që do presim një datë.
Sekseri 2- Se ke idenë sa jam munduar.
Fiksi- Se kemi interes të përbashkët.
Sekseri 2- Vetëm po të presësh në një moment të caktuar, do të them unë.
Fiksi- Me hamendje një muaj?
Sekseri 2- Diçka e tillë.
Fiksi- Edhe ngelemi te varianti i parë, me jaht, ose kamion shoqëruese?
Sekseri 2- Me jaht, shoqëruese kamioni, shoqëruese autobusi ose me vapor. Këto janë rrugët më… më kupton që të ikësh në këmbë. Të shijosh dhe rrugën. Në kuptimin që të rrish si njeri. Mos të rrish obobo. Ku do të të çoj tani?
Fiksi- Jo, në asnjë vend unë do lëviz tashti.
Fiksi- Mirë të të takoj tashti, hajde mirupafshim, ciao.
Sekseri 2-Të jesh mirë!
Fiksi- Gjithashtu dhe ti.

/ Top Channel

Fotografia e Vlora News

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com