[sgmb id=”1″]
Festa e Kurban Bajramit është një nga dy festat më të rëndësishme të besimtarëve muslimanë: Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin.
Kjo e fundit, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijojë djalin e tij, Ismailin, si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit, para se Zoti të ndërhyjë, përmes engjëllit të tij Xhebrailit dhe të njoftojë Ibrahimin se flijimi i tij është pranuar tashmë.
Emërtimi “Kurban Bajrami” në gjuhën shqipe është huazim nga turqishtja – Kurban Bayramı, që do të thotë “Festa e Flijimit”.
Në kalendarin hixhri (islam), Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për katër ditë. Në kalendarin gregorian, data ndryshon nga viti në vit duke shkuar përafërsisht 11 ditë më herët çdo vit.
Po t’a përmbledhim me pak fjalë Kurban Bajrami është festa e mposhtjes së egos sonë, mposhtjen e nepsit që gjithmonë kërkon të jetë para.
Ushqimet për Kurban Bajramin
Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë.
Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve.
Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa.
Supë e thjeshtë me lëng mishi, vezë, limon, pak miell dhe erëza.
Byrek me barishte ose vezë dhe djathë, ose vezë me kos
Sigurisht mishi nuk mungon asnjëherë në tavolinën e kësaj feste. I pjekur në furrë me patate ose thjesht i gatuar për t’u vendosur në anë të pjatës me orizin e gatuar.
Sallatat e çdo tipi, me perime të gatuara, të freskëta etj.
Së fundmi në “modë” janë futur dhe gatimet e prodhimeve të detit. Lëreni fantazinë t’ju udhëheqë në kuzhinë.
Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.
Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkol.