[sgmb id=”1″]
Numri i qytetarëve të Kosovës që po i bashkohen luftërave në Siri dhe Irak gjatë muajve të fundit ka rënë dukshëm. Këtë e ka konfirmuar Blerim Rama nga Departamenti kundër terrorizmit në Policinë e Kosovës.
Ai theksoi se numri i qytetarëve të Kosovës që janë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak ka rënë, madje dukshëm muajve të fundit. Këto komente ai i bëri në prezantimin e një raporti mbi ekstremizmin dhe radikalizmin në Kosovë nga portali Fol Tash.
Në prezantimin e të gjeturave të kësaj analize, kryeredaktori i portalit Fol Tash, Bekim Jashari, tha se hulumtimi është ndarë në dy etapa, ajo e para luftës në Kosovë dhe ajo e pas luftës.
Sipas Jasharit, para luftës së fundit në Kosovë shqiptarët nuk bën luftë fetare, e as përpjekje për të drejta dhe liri fetare, pasi kishte diçka që u mungonte, e jo ishte liria. Por, sipas këtij hulumtimi, problemet filluan pas luftës. Jashari theksoi se ardhja e shumë OJQ-ve nga vendet arabe, bëri që kjo etapë të bëhet paralele me Bashkësinë Islame, pasi ardhja e OJQ-ve nga vendet arabe me qëllim ndihmën humanitare, renovimin e shtëpive, shpërndarja e ndihmave me fletushka me islamin ndryshe dhe financimin e studentëve në vendet arabe nën diktatin e tyre.
Shemsi Jashari nga OJQ “Demokracia fillon këtu”, ka dhënë disa rekomandime të cilat dërgojnë në de-radikalizëm.
Burim Ramadani tha se qasja duhet të jetë shumëdimensionale në vazhdimësi në trajtimin e ekstremizmit të dhunshëm të gjitha llojeve duke përfshirë edhe këtë që bazohet në interpretimin strikt ose manipulues të fesë, e cila në rastin e Kosovës ka dhënë viktima.
Sipas këtij hulumtimi qytetarët në Kosovë nuk kanë frikë nga fetë, pasi bindja e tyre është që feja nxit në paqe dhe dashuri, andaj përdorimi i fjalës islamofobi cilësohet si kontrovers.