[sgmb id=”1″]
Shfaqja “AMOK” të mërkurën, me 27 shtator do të prezantohet në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit – “Vertikal”, në Jerusalem të Izraelit.
Në Edicionin e tetë të ketij festivali, shfaqja me tekst te Nina Mazur, regji të Elmaze Nurës dhe lojë të Mentor Zymberajt, do të shfaqet për publikun në oren 19:00 në Teatrin “Han” të qytetit të Jerusalemit.
Përveç shfaqjes nga Kosova, këtë vit në programin zyrtar të festivalit, marrin pjesë edhe shfaqjet nga Izraeli, Ukraina, Rusia, Armenia, etj.
Duke e vlerësuar programin e festivalit, regjisorja e shfaqjes, profesoresha e regjisë Elmaze Nura tha se të jesh pjesë e një festivali të tillë, nuk është vetëm përgjegjësi artistike, por edhe shtetore, “aq me tepër kur shteti mikprites i festivalit është ndër ato shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
Ndërsa aktori dhe profesori Mentor Zymberaj, tha per Festivalin “Vertikal” se selektimi dhe prezantimi në këtë festival është shumështresor.
“Së pari vetë Jerusalemi është i veçantë dhe ka shume vizitorë nga e gjithë bota që perpos vendeve të shenjta i frekuentojne edhe teatrot në fund të ditës dhe kjo e rritë vleren e prezantimit përpara një audience të tille”, tha ai, duke shtuar se këto ngjarje artistike po e rrisin vlerën e artit dhe kulturës sonë.
Teatri “Han” ku do të shfaqet “AMOK” gjindet në pjesen më të frekuentuar të qytetit të Jerusalemit ku lidhet qyteti i vjeter me qytetin e ri, ndërsa si arkitekturë i takon ndërtimeve të vjetra te rikonstruktura.
Shfaqja “Amok” së bashku me shfaqjen “Aktori në Kuti”, prodhim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT, përveç prezantimeve paraprake, këtë fillim shtatori mori pjesë edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Teatri pa kufij” në Tuzla të Bosnjës.