Loading...

12-vjeçarja e abuzuar seksualisht: Më rrezikohet jeta, ja si policia nuk me mbrojti

[sgmb id=”1″]

Emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar mbrëmjen e së premtes indiferencën e disa institucioneve shtetërore, që kanë lënë në mëshirë të fatit një vajzë të abuzuar seksualisht në moshën 12-vjeçare. 

Vajza, sot 16 vjeç, ka treguar për “Fiksin” të gjithë ngjarjen e ndodhur pak vite më parë dhe ka akuzuar organet e drejtësisë se nuk i kanë dhënë dënimin e merituar personit që e dhunoi; si dhe ato të arsimit për largimin nga shkolla.

Denoncimi shokues

“Unë jam bërë viktimë e abuzimit seksual në moshën 12-vjeçare. Personi që më kërcënoi më thoshte se do të më çonte prostitutë në Maltë. Më thoshte të gjeja edhe ndonjë kushërirën time. Me ty do bëj lekë, më thoshte. E denoncova, por policia nuk i mori për bazë denoncimet”, ka treguar 16-vjeçarja.

Ajo ka treguar edhe ditën e abuzimit. “Isha në një dyqan në fshatin ku banoj, në Slanicë të Urës Vajgurore. Ky person erdhi me një makinë ngjyrë gri dhe më mori me forcë. Gjërat që kisha blerë më ranë nga dora. Me ty do të bëj lekë, më thoshte. Më çoi në Cukalat dhe më kërcënoi. Do të të vras familjen, tha”, ka rrëfyer vajza.

Ajo ka thënë gjithashtu se personi kishte qenë me njerëz të tjerë në makinë dhe se kur ishte kthyer në shtëpi nuk u kishte thënë prindërve për sa kishte ndodhur.

“Ishte ora 12 e gjysmë e natës. Mami kishte dalë nga shtëpia. Kur zbrita nga makina ai më shtyu, por mami nuk pa gjë. Unë e gënjeva mamin, i thashë se kishte qenë kushëriri. Të nesërmen telefonova Policinë e Fierit, në orën 09:00. Ia tregova ngjarjen edhe një kushërirës time dhe ajo më tha se isha minorene”, ka vijuar vajza.

Ajo ka shtuar se, personin që e kishte abuzuar e arrestuan 10 minuta pas kallëzimit dhe se pas dëshmisë ai e kishte kërcënuar sërish. “Kam dëshmuar për këtë person. Por sapo dola nga komisariati ai më bëri ca shenja. Kam për të të vrarë, thoshte”, ka thënë më tej minorenia.

Më kanë kërcënuar mua dhe familjen

16-vjeçarja ka thënë për “Fiksin” se prindërit e personit që e lëndoi kanë qenë në muajin mars të vitit 2015 te shkolla e saj në fshatin Donofrosë. Ajo ka deklaruar se ndoshta kjo ka qenë arsyeja përse drejtori i kësaj shkolle i mbajti asaj qëndrim.

“Drejtori më tha se kishin ardhur prindërit e atij djalit dhe se nxënësit ishin në rrezik. Unë iu përgjigja vetëm për veten time, i thash se askush nuk do të lëndohet”, ka vijuar vajza rrëfimin.

Më pas ajo është ndalur tek organet e drejtësisë. “Personi që më lëndoi nuk e kreu dënimin sa duhet. Unë pata frikë për kërcënimet, edhe babai im pati frikë pasi takohej me babanë e atij djalit. Unë kërkoj që shteti të marrë masa. Vëllai dhe motra shkojnë në shkollë, mund të lëndohen. Personi ka bërë vetëm dy vite burg, doli në janar 2016 dhe banon në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Aktualisht është 23 vjeç, kur ndodhi ngjarja ishte 19 e gjysmë. Unë policisë ia kam theksuar me mijëra herë dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi për ngjarjen. I jam drejtuar edhe ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, Avokatit të Popullit, por asnjë masë nuk është marrë. Avokati i Popullit më ktheu një letër, më tha se autori ishte dënuar me 4 vite burg”, ka shtuar vajza.

“Jam thirrur në muajin prill 2016 në polici, ku kam bërë kallëzim për kërcënimet që më vinin. Kërcënimet kanë filluar 1 muaj pas ngjarjes, në maj 2014. Babai i këtij personi kërkonte që të tërhiqja denoncimin. Iu thoshte prindërve të mi se, do ju vë flakën, do ju heq qafe. Unë për këtë dua drejtësi, dua që mos të më cënojë njeri të drejtën për të jetuar. Policia nisi një procedim penal për kallëzimet dhe personi në fjalë ishte marrë në pyetje shumë vonë, 8 muaj më vonë. Aktualisht kjo çështje është e mbyllur. E kanë mbyllur dhe ngjarjen time nuk e kanë parashikuar si vepër penale. Unë dua drejtësi, jam e gatshme të përballëm me gjithçka”, ka thënë minorenia.

Ajo ka shtuar se në shtator 2016 i është drejtuar linjës kombëtare të këshillimit të fëmijëve, por sërish gjërat nuk shkuan si duhet.

“Më referuan te një psikologe, por i kërkova të largohesha. Ajo nuk kontaktonte shpesh, në fillim fare. I kërkova të më ndihmonte në shkollë dhe më tha se në tetor do isha e regjistruar. Unë prita, por më tha se i kishte vdekur babai dhe se ishte në zi”, është shprehur vajza.

Në janar 2017 atë e dërguan në shkollën në Cukalat, ku e pritën mirë dhe bashkia e ndihmoi me një ndihmë ekonomike prej 25 mijë lekë të reja. Por hallet nuk mbaruan me kaq.

Përplasja me drejtorin e shkollës

Gazetarët e “Fiks Fare” e kanë shoqëruar vajzën në shkollën 9-vjeçare në fshatin Donofrosë. Përpara saj dhe gazetarëve drejtori Myrteza Bode ka thënë se vajza kishte qenë e regjistruar në klasën e tetë, por nuk ndiqte mësimin. Ai ka deklaruar se vajza nuk është ende e përjashtuar por sapo të mbushë 16-vjeç mund të dëbohet.

“Vajza ka pasur një problem social gjatë vitit 2013. Ajo ka bërë një kallëzim penal që ka qenë objekt trafikimi mesa di unë. Por nuk ka frekuentuar shkollën dhe nuk ka paraqitur ndonjë arsye”, ka thënë Bode.

Ai i ka thënë se me vajzën dhe me policinë kishin nënshkruar një deklaratë noteriale, ndërsa për ngjarjen ka thënë se nuk mund ta cilësonte trafikim apo marrëdhënie me minorene.

Drejtori ka theksuar se largimi i vajzës nga shkolla ishte përgjegjësi e rendit, ndërsa ka thënë se do të flasë me Drejtorinë Arsimore të Beratit për të parë nëse do t’i japë ose jo transferimin në një shkollë tjetër.

Bode ka pohuar se ka vënë në dijeni edhe Drejtorinë Arsimore dhe i kanë thënë se vajza duhet të vazhdojë mësimin në atë shkollë.

“Ndihmën ia kemi dhënë, le të vinte. Unë tani s’i jap asnjë lloj ndihme, të vijë këtu e të vazhdojë klasën e tetë”, ka thënë drejtori, ndërsa i ka bërë thirrje vajzës që të mos e shantazhojë.

Gazetarët e “Fiks Fare” kanë shkuar edhe në Drejtorinë Arsimore të Beratit. “Ne sot jemi vënë në dijeni të këtij rasti, pasi drejtoria e shkollës nuk na ka lajmëruar më parë. Vajzën do ta dërgojmë të vazhdojë shkollën në Cukalat. Do të caktojmë një psikologe dhe një mësuese shtesë. Falënderojmë “Fiks Fare” që e bëri prezent këtë problematikë”, ka deklaruar përfaqësuesja e DAB.

Apeli i 16-vjeçares

Kërcënimet kanë vazhduar, ndaj vajza përmes denoncimit në “Fiks Fare” ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit.

“Kërkoj që shteti të mos bëhet kaq i padrejtë me njerëzit. Kërkoj që shteti të marrë masat e duhura. Kërkoj nga drejtori i shkollës të mbajë pak gojën. Kam një familje të mirë, në shkollë kam qenë vajzë e dashur. Shteti të marrë masë për kërcënimet në “Facebook” se po rri me sytë hapur natë e ditë. S’dua që nënës sime apo babait tim t’i ndodhë ndonjë gjë. Unë s’kam frikë nga asnjë gjë se njëherë vdes njeriu”, ka apeluar vajza.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com