[sgmb id=”1″]
1 ton drogë është sekuestruar gjatë operacionit të koduar “Karaburuni”, nga Policia Kufitare e Vlorës, Delta Forcë, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Guardia Di Finanza dhe Roja Bregdetare.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me dije se:
Operacioni ka nisur mesditën e datës 05.09.2017 dhe është ende në vijim.
Më datë 05.09.2017, rreth orës 14:44, në Sallën Operative të DVKM Vlorë, ka ardhur një telefonatë për largimin nga vendbazimi të një mjeti lundrues, pa kryer procedurat e daljes në det.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, Reparti Special “Delta” dhe GdF, kanë dalë në det dhe kanë filluar kërkimin e mjetit lundrues në zonën detare Shën Jan-Kepi i Gjuhëzës, në Karaburun.
Gjatë kërkimit, në vendin e quajtur “Zhapovel” në Karaburun është konstatuar një mjet lundrues, “gomone”, i cili ecte me shpejtësi në drejtim të bregut të detit.
Në ndjekje të mjetit lundrues me një person në bord, janë vënë mjetet lundruese të Policisë Kufitare, Delta Forcë, GdF-së dhe Rojes Bregdetare.
Personi ka braktisur në breg të detit në Karaburun gomonen me një motorr “Mercury” 150 hp dhe është larguar duke përfituar edhe nga terreni i pyllëzuar në këtë zonë.
Nga toka kanë shkuar forca të tjera të Policisë Kufitare Vlorë , Repartit Special “Delta”, të cilët kanë bërë krehjen e të gjithë zonës, por nuk është arritur të gjendet personi i larguar nga mjeti lundrues.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës, shërbimet e përbashkëta janë lënë në terren gjatë gjithë kohës, për tu riorganizuar sërish në mëngjesin e datës 06.09.2017.
Në orët e para të mëngjesit të datës 06.09.2017, shërbime të përbashkëta të Policisë Kufitare Vlorë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Repartit Special “Delta”, Guardia di Finanza dhe Rojes Bregdetare kanë filluar sërish krehjen e zonës ku u gjet mjeti lundrues dhe të zonës përreth, në të cilën dyshohej se fshihej lënda narkotike që do të trafikohej me mjetin lundrues gomone.
Nga kontrolli i ushtruar në të gjithë zonën, në vendin e quajtur “Depot e Valanidhit” në Karaburun, midis Gjirit të Bristanit dhe Gjirit të Gramës në Karaburun, u arrit të gjendej një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa, 1 110 kg, e paketuar në 54 pako të mëdha, e shpërndarë midis pemëve dhe shkurreve.
Gjithashtu në afërsi të lëndës narkotike në pyll janë gjetur dhe 5 kafshë transporti (mushka), të cilat dyshohet se janë përdorur për transportimin e lëndës narkotike nga një zonë në tjetrën.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore, në lidhje me mjetin lundrues dhe sasinë e lëndës narkotike të gjetur.
Nga shërbimet e përbashkëta të DVKM Vlorë, DVP Vlorë, Repartit Special “Delta” dhe Guardia di Finanza vazhdon krehja e gjithë territorit në Karaburun.
Në drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë janë shoqëruar disa persona ndërmjet tyre është marrë në pyetje edhe pronari i gomones, i cili ka deklaruar rreth personit që ka nxjerrë gomonen pa lejen e tij në det, ku vijon puna nga ana e policisë për kapjen e tij.
Vijon puna nga ana e Specialistëve për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë për zbardhjen e plotë të këtij rasti, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.