Loading...

Sekuestro dhe bllokim i llogarive bankare, 74 biznese VIP në listën e tatimeve.

[sgmb id=”1″]

Në listën e borxhlinjve të këqij në tatime janë 74 biznese të mëdha të përshirë në kategorinë VIP (tatimpaguesit e mëdhenj), të cilat tashmë janë objekt i bllokimit të llogarive bankare dhe të sekuestrimit me forcë të detyrimeve.

 Pjesa më e madhe e këtyre bizneseve janë kompani nga sektori i naftës dhe ndërtimit dhe janë përfshirë tashmë në një proces falimenti. Por ato do të jenë objekt i detyrimeve tatimore derisa sa gjykata e falimentit të marrë vendimin e  likuidimit.

Në listën e zezë të tatimeve janë emra të njohur të biznesit, si kompania e Përpunimit të Naftës, ARMO, Bankers Petroleum, Deveron Oil Albania, TEA Construksion, Çilotaj Group, Filanto, Petrolimpex, ERI Fruit, Transpetrol, Rrajca etj.

Ndërkohë pjesë e Listës janë të gjitha kompanitë e Grupit “Taçi OIL” tashmë në falimentim. Lista dominohet me se shumti nga biznese të sektorit hidrokarbur, ku spikasin Rira, Anoil, Viloil, FIT-MEK-OIL, Globoil, Petrol impex, Transpetroli, Kuid, Taci Oil, ARMO, Bankers etj.

Nga sektori i agropërpunimit spikasin kompanitë Olim, Amla, Eri Fruit dhe Floryhen.

Nga sektori i ndërtimit dhe energjisë spikasin emrat e njohur si, Vigand Konstruksion, Alpine Bau GMBH, Çilotaj, TEA Construksion, Balfas industrial, Kalivaç Energy, Construksion Energyk dhe Amadeus  Group.

Pjesë e e litës është edhe qendra e njohur tregtare City Park dhe ish kompania e supermarketeve, Carrefour (qendra e Distribucionit Ushqimor).

Nga sektori i lojërave të fatit në listën e zezë të tatimeve si biznese VIP janë Astra 200,  Xhoi Lloto dhe Top Bast.

Një pjese e subjekteve e kundërshtojnë detyrimin dhe kanë hapur proces gjyqesor, por kjo gjithsesi kërkon pagimin apo garantimin e pagimit të detyrimit.

Borxhi tatimor është rritur me shpejtësi vitet e fundit, si pasojë e kushteve të vështira në të cilat ka kaluar ekonomia. Bizneseve u është dashur të operojnë në një ambient të vështirë ku ka dominuar rritja e taksave, rënia e kërkesës dhe mungesa e kredisë bankare.

Sipas të dhënave zyrtare nga tatimet borxhi ndaj institucionit arriti në fund të vitit 2016 në më shumë se 147 miliardë lekë (1.07 miliardë euro). Kjo shumë zotërohet nga rreth 780 mijë biznesë dhe individë në të gjithë vendin. Një pjesë e këtij borxhi (ajo para vitit 2010) po fshihet tashmë nga tatimet, në kuadër të amnistisë që do të vazhdojë deri në fund të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare stoku i borxhit, deri më ne fund te 2016 përbëhej kryesisht nga detyrimet tatimore të lindura nga 2-5 vite me një peshë prej 34% të totalit të borxhit.

Mundësi potencialisht më e madhe për t’u arkëtuar nga ana e drejtorive rajonale, është vlera e borxhit me moshë deri në 2 vjet, e cila përbën 41% të stokut të borxhit, kanë referuar më herët tatimet.

Nga të dhënat rezulton se edhe në vitin 2016 është shënuar rekord përsa i përket krijimit të borxhit tatimor, që në total për periudhën në fjalë arrin në 45 miliardë lekë (330 milionë euro), apo gati 31% e stokut të borxhit tatimor të krijuar në vite. (4.2% borxhi deri në 3 muaj; 3.8% deri në 6 muaj dhe 22.65 borxhi i moshës nga 6 në 12 muaj)

Në fund të vitit 2016, referuar ndarjes sipas llojit të tatimit, vërehen detyrimet për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në masën 35 % e stokut të borxhit.

Në ndarjen e borxhit sipas llojit të tatimit, TVSH-ja zë peshën më të madhe të totalit të stokut të borxhit, ndjekur nga zëri Të Tjera me 29%, dhe më pas nga Tatim Fitimi, Sigurime Shoqërore Shëndetësore dhe TAP.

Një ditë më parë  Drejtoria e Përgjithshme përditësoi listën e bizneseve debitor, që i kalon 18 mijë subjekte. Ajo sqaroi tatimpaguesit se afati për të paguar një borxh tatimor sipas rasteve është:

Në rastin e vetëdeklarimit brenda 10 ditëve nga data e vetëdeklarimit.

Nëse borxhi nuk është apeluar bëhet brenda 30 ditësh nga data e marrjes së njoftim vlerësimit

Brenda 30 ditëve nga data e marrjes së njoftim vlerësimit, vetëm detyrimin tatimor dhe kamatëvonesën lidhur me të, edhe në rastin kur tatimpaguesi ka apeluar borxhin tatimor.

Me plotësimin e afateve proceduralë të mësipërme, sistemi në mënyrë automatike ju dërgon në e-filing tuaj “Njoftim dhe kërkesë për pagimin e detyrimit tatimor”, shkruan monitor. 

Nëse brenda 10 ditësh nga data e marrjes së këtij njoftimi, tatimpaguesi vazhdon të mos paguajë borxhin e tij tatimor, ndaj tij fillojnë masat ligjore të mbledhjes me forcë të borxhit.

Masat e mbledhjes me forcë të borxhit tatimor, janë:

Hapi I-rë: Urdhër bllokimi i llogarive bankare, ku i kërkohet çdo banke ku tatimpaguesi ka logaritë e tij të mbajë shumën e detyrimit të papaguar në rast mosarkëtimi të detyrimeve 10 ditë pas njoftimit të tij.

Hapi II-të: Barrë sigurie dhe/ose Barrë hipotekarë mbi pasuritë 10 ditë pas lëshimit të urdhër bllokimit në rast se nuk është arritur arkëtimi i detyrimit.

Hapi i III-të: Urdhër për sekuestrim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 30 ditëve nga data e vendosjes së barrës së sigurisë dhe/ose hipotekarë.

Hapi i IV-t: Konfiskimi i pasurisë nga Administrata Tatimore në rast se detyrimi nuk është arkëtuar brenda 15 ditëve nga sekuestrimi i pasurisë.

Administrata Tatimore i dërgon gjithashtu administratës doganore një njoftim ku kërkohet bllokimi i aktivitetit doganor të tatimpaguesit deri në momentin e kryerjes së pagesës së detyrimit të papaguar.

Në rastet e moslikuidimit të plotë të detyrimit tatimor pas ndjekjes së hapave të mësipërme kalohet në nxjerrjen e njoftimit, i cili urdhëron palët e treta për pagesën e detyrimit tatimor.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com