[sgmb id=”1″]
Policia e Shtetit ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar rreth mesnatës në kryeqytet për kapjen e një grupi shpërndarësish kokaine që rezultoi me arrestimin e 3 personave.
Në sajë të operacionit të koduar “Përpjekje e dështuar” janë vënë në pranga:
– Blendi Peca, 27 vjeç, banues në Tiranë.
– Ardit Murati, 24 vjeç, dhe Shehat Murati, 50 vjeç, banues në Tiranë (at dhe bir).
U shpall në kërkim shtetasi:
– A. M., 22 vjeç, banues në Tiranë, i biri i Shehatit.
Po kështu policia a sekuestruar 435.2 gramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit kokainë dhe valutë në euro dhe lekë.
OPERACIONI
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në rrugë operative, dispononte informacion se shtetasit Blendi Peca, Arbër Murati dhe Ardit Murati, qarkullonin në qytet të armatosur dhe ushtronin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes në sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e “Don Boskos”.
Më datë 01.08.2017, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka organizuar operacionin “Përpjekje e dështuar” për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve.
Shtetasi Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip “Citroen”, në zonën e “Don Boskos”. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shenja e ndalimit nga punonjësit e policisë të veshur me jelekun multifunksional me mbishkrimin “Policia”, por mjeti nuk ka ndaluar, ka kryer manovra lëvizjeje të rrezikshme për jetën e punonjësve të policisë.
Në këto kushte punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër duke dhënë përsëri urdhër ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për t’u larguar. Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë, drejtuesi i mjetit, shtetasi Blendi Peca, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet, është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e cila rezultoi e peshës 385 gramë. Duke qenë në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Arbër Murati, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e peshës 50.2 gramë, 10 doza pluhuri të dyshuara të llojit kokainë, ngjyrë e bardhë, një dorezë metalike, një sasi vlere monetare në valutë prej 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja, të cilat u sekuestruan. Për pasojë u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit e mësipërm.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
– 435.2 gramë kokainë.
– 1210 euro dhe 18 000 lekë të reja.
– mjeti tip ” Citroen”.
– peshore elektronike.
– dorezë metalike.
Veprimet procedurale u monitoruan nga SHÇBA dhe Prokurori i gatshëm.
U referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve B.P., A.M., dhe SH.M., për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, “Mosbindje e urdhrit të punonjësit të policisë”, “Përdorim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, ndërsa për shtetasin A.M., për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikëve e kryer në bashkëpunim”.