[sgmb id=”1″]
Përveç akuzave për abuzim me çmimet, kompania celulare Vodafone Albania po krijon çdo ditë bezdisje dhe mërzitje tek konsumatorët. Brenda një kohe prej 28 ditësh, aq sa është oferta mujore, Vodafon dërgon mbi 10 mesazhe për të të njoftuar se krediti juaj është drejt mbarimit. Sms-të dërgohen orar e pa orar, ndonjëherë në mesnatë dhe ndonjëherë në mëngjes herët, ku mesa duket Vodafone ka humbur edhe sensin e kohës.
Ky sulm virtual që shkatërron nervat e konsumatorëve, bëhet me qëllimin e vetëm për të peshkuar ndonjë tjetër qytetar, duke i grabitur më tepër para sesa paketa mujore, e cila varjon nga 11 mijë lekë deri në 20 mijë lekë (të vjetra). Mesazhi i parë të vjen me aktivizimin e ofertës, çmimi për të cilën është rritur ndjeshëm muajt e fundit. Nëpërmjet kësaj sms, Vodafone të njofton se sa minuta, sms apo internet ke për 28 ditë si dhe ditën kur të mbaron oferta. Në fund të mesazhit thuhet: Kontrollo balancën në çdo kohë! Që këtu nis presioni i kësaj kompanie celulare e cila sipas denoncimeve të shumta, po rrjep çdo ditë konsumatorët shqiptarë.
Mesazhi i radhës është njoftimi për pikët e fituara, e cila shërben si një pseudo-llotari ku mund të fitosh aparate smartphone apo minuta ekstra. Në fakt, këto pikë në shumicën e raste Vodafone t’i grabit, pasi siç shihet edhe nga mesazhi që të dërgon: Ju keni përfituar 120 pikë, por 50 pikë ju skadojnë në x datë. (Më poshtë sms-ja me foto).
Në sms-në e tretë, Vodafon të dhuron 500 MB internet, që në fakt ashtu siç t’i jep ashtu edhe t’i merr shumë shpejt. Kjo shihet në mesazhin e katërt që të vjen një ditë pasi ke bërë ofertën, dhe ku thuhet: Ju keni përdorur 80 % konsum nga 500 MB internet!
Por edhe pas kësaj sms, Vodafone vijon tu shkaktojë makth konsumatorëve shqiptarë. Në mesazhin e pestë, kjo kompani celulare të njofton 1 javë pasi keni aktivizuar ofertën, se ju keni përdorur 80% të 4GB-ve të internetit. Në fund të kësaj sms, Vodafone të këshillon që të bësh një paketë shtesë interneti 2GB dhe që kushton 300 lekë.
Pa shkuar akoma mesi i muajit të ofertës, Vodafone të dërgon mesazhin e 6-të. Në tekst të njofton se të ka mbaruar interneti 4GB, duke i prerë kështu abonentit internetin. Nëse abonenti nuk ka dëshirë të paguajë ekstra për të shtuar internetin, Vodafone të shqetëson sërish me mesazhin e 7-të, ku të thotë që ju keni përfituar 250 MB internet për vetëm 24 orë. Kjo manovër e kësaj kompanie celulare shërben për të futur në grackë të apasionuarit pas internetit në aparatet celular (Iphone, Samsung, Nokia, HTC etj).
Vodafone luan sërish me nervat e konsumatorëve, pasi brenda pak orësh me një mesazh të 8-të u dërgon sinjal se 250 MB internet kanë përfunduar. Vodafone vjen edhe me një propozim të ri, që abonenti të aktizojë tashmë një paketë mujore të re, 10 ditë përpara se t’i mbarojë e reja. Kjo mënyrë e vjedhjes së abonentit, për fat të keq përdoret vetëm nga kompania Vodafone, dhe jo nga 3 të tjerat që operojnë njësoj në tregun tonë.
Nëse dikush nuk ka rënë pre e manipulimit, në mesazhin e 9-të, Vodafone të njofton se oferta juaj mujore skadon pas 4 ditësh. Nëse i drejtohesh dyqaneve të Vodafone, t’i mund të aktivizosh ofertën e re edhe pa të mbaruar e vjetra.
Mesazhi i fundit, pra i 10-ti nga Vodafone, është “mbreslënës”. Në të shkruhet: Ju keni konsumuar 100 % të paketës mujore, dhe për këtë drejtojuni dyqaneve të Vodafone për të aktivizuar një paketë të re. Ky është një abuzim i rëndë me qytetarët, pasi askush nuk mund të konsumojë brenda 25 ditëve (pa mbaruar afati prej 28 ditësh), 2500 minuta kombëtare, 2500 sms kombëtare, 300 sms ndërkombëtare, 4 GB internet dhe 10 minuta ndërkombëtare.
Ky fenomen tronditës ndodh për të gjithë ata abonentë që përdorin Vodafone. Pompimi me sms është një mënyrat e Vodafone për të grabitur konsumatorët çdo ditë. Kjo mënyrë jo vetëm po shkakton stres dhe nervozizëm por nga ana tjetër po dhunon privatësinë e çdo konsumatorit duke i dërguar sms në çdo orë.
Boldnews.al do të publikojë në vijim fakte tronditëse të krijimit të një oligopoli në tregun e telefonisë celulare, ku në krye qëndron Vodafone.
Më poshtë sms e dërguara nga Vodafone brenda 28 ditëve: