[sgmb id=”1″]
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Hamit Kosta, nuk e ka pranuar akuzën e ngritur nga ish-bashkëjetuesja e tij për kanosje e kërcënime ndaj saj. Kosta pritet të dalë para togave të zeza ku do të vlerësohet masa e sigurisë ndaj tij. Ai u arrestua dy ditë më parë, pasi u akuzua për veprat penale “kanosje” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Burime nga Policia e Elbasanit bënë të ditur se ish-deputeti nuk e ka pranuar pretendimin e shtetases Elda Tabaku, 38 vjeçe. Pas një bashkëjetese rreth 10-vjeçare, ata i kanë dhënë fund marrëdhënies, por siç mësohet kanë një vajzë së bashku.
Kosta ka deklaruar në Polici se nuk ka pasur kërcënime e as kanosje ndaj saj, por vetëm diskutime për vajzën, e cila është fryt i kësaj marrëdhënieje prej një dekade. Ai nuk ka saktësuar nëse diskutimet kanë pasur nota debati apo nëse ish-bashkëjetuesja e tij e pengonte atë që të takonte të bijën.
“Nuk është e vërtetë që e kam kanosur, kemi pasur vetëm diskutime që kanë pasur lidhje me vajzën që ne kemi së bashku”, ka deklaruar Hamit Kosta gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Elbasanit.
Sipas të dhënave, Elda Tabaku, drejtoreshë në një kopsht në Elbasan, i është drejtuar policisë duke e akuzuar Kostën për kanosje ndaj saj. Më pas, gjatë kontrollit në makinën e tij, blutë zbuluan edhe një armë.
“Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Hamit Kosta, 62 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në lagjen “5 Maji”, me automjetin e tij tip “Hamer”, me targa PE 2505 A, dyshohet të ketë kanosur me fjalë dhe me armë zjarri ish-bashkëjetuesen, shtetasen E.T., 38 vjeçe, banuese në Elbasan. Gjatë kontrollit të mjetit iu gjet një armë zjarri pistoletë me gjashtë fishekë, model 9 mm, të vendosur në krehrin e saj”, bën të ditur Policia.
Ish-deputeti Hamit Kosta mësohet se ka bashkëjetuar për një periudhë 10-vjeçare pa bërë celebrim martese. Gjatë marrëdhënies së tyre, Kosta dhe 38- vjeçarja kanë sjellë në jetë dhe një vajzë.
Por, rreth një vit më parë çifti nisi të ketë konflikt dhe marrëdhënia e tyre mori fund. Pas ndarjes nga ish-deputeti, 38-vjeçarja mësohet se ka nisur një jetë të re, duke krijuar një tjetër lidhje po në qytetin e Elbasanit.
Shkak për ngjarjen e fundit, që çoi edhe në arrestimin e ish-deputetit, mësohet se ka qenë pikërisht xhelozia për lidhjen e re të 38- vjeçares. Ende nuk dihen rrethanat e debatit mes tyre, por ka dyshime se 62-vjeçari nuk e pranonte lidhjen e re të saj.
Hamit Kosta, deputet i legjislaturës 2005-2009, u zgjodh si përfaqësues i Partisë Socialiste. Ai ishte pjesë e grupit të deputetëve të përjashtuar nga PSja, pasi votuan për zgjedhjen e Bamir Topit president. Për këtë arsye, Kosta u largua nga PS-ja dhe iu bashkua PDK-së së drejtuar nga Nard Ndoka, që ishte pjesë e koalicionit të qeverisë së drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.
Më parë, Kosta ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin. Para lidhjes me 38-vjeçaren, Kosta ka qenë i martuar, dhe ka edhe tre fëmijë të tjerë.