[sgmb id=”1″]
Reforma në drejtësi po afron dhe pritet që edhe politika të bjerë në rrjetën e saj. Fillimisht do jenë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ata të cilët do të largohen përmes procesit të vetingut dhe më pas do jetë radha e zyrtarëve të lartë.
Më 1 gusht hyn në fuqi Kodi i Procedurës Penale, i cili detyron Gjykatën dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, si dhe Prokurorinë e Përgjithshme që të gjitha dosjet në ngarkim të zyrtarëve të lartë dhe aferave korruptive t’i dorëzojnë në SPAK.
SPAK do të ngrihet në nëntor dhe pastaj do nisë lufta ndaj pushtetarëve të korruptuar. Por pyetja që shtrohet është se cilat do jenë ato dosje pikate që do kalojnë në SPAK.
Në prokurori janë disa zyrtarë të kallëzuar, por 3 janë dosjet më të rëndësishme me të cilat pritet të nisë punën SPAK: Afera e privatizimit të OSSH duke ia shitur CEZ, rasti i marrëveshjes CEZ-DIA dhe 21 Janari.
Sa i takon rastit të parë, në muajin mars, komisioni hetimor parlamentar i ngritur për këtë rast dorëzoi një padi në prokurori për 11 zyrtarë, duke i akuzuar për shpërdorim detyre dhe abuzime me rastin e CEZ shkruan “sot”. Por përveç një shkrese të pak ditëve më parë ku kërkohej informacion në Kuvend mbi akuzat ndaj Shkëlzen Berishës, djalit të Sali Berishës, nuk ka asnjë gjë tjetër.
Por sipas ligjit, sapo të ngrihet SPAK prokuroria është e detyruar që të gjithë dosjen t’ia kalojë kësaj prokurorie, pjesë e të cilës do jenë amerikanët. Të akuzuar janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministrat e tij dhe provat për ta do i marrin në dorë amerikanët.
Nga ana tjetër dhe vetë ish-juristi i OSSH, Romeo Kara, ka thënë se do dërgojë në SPAK dosjen për CEZ. Po ashtu edhe dosja CEZ-DIA ku është i akuzuar Kastriot Ismailaj do kalojë te SPAK.
Ajo po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe sipas ligjit do i kalojë SPAK. Pra këto do jenë dy dosjet që mund të hapin siparin e arrestimeve VIP, pasi në listën e të akuzuarve janë një sërë zyrtarësh të lartë.
Në bazë të padisë që ka bërë komisioni hetimor në prokurori të akuzuar janë: Sali Berisha, ish-kryeministër e aktualisht deputet i Kuvendit; Nuel Kalaj, ndërmjetës i privatizimit të OSSH, i cili dyshohet se ka kryer transferta të dyshimta parash në shuma të mëdha; Zoti Genc Ruli, ministër në Ministrinë e Energjisë; zoti Neritan Alibali, ish-zv/ministër; Enno Bozdo, ish-zv./ ministër në Ministrinë e energjisë; Mimoza Vokshi, ish drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Tregtare në Ministrinë e Energjisë; Ridvan Bode, ish-ministër i Financave; Suzana Guxholli, ish-këshilltare e Sali Berishës; Zoti Florion Mima, ish-ministër i Ekonomisë, etj.
Një tjetër dosje që do kalojë te SPAK është ajo e 21 Janarit. Pak muaj më parë Gjykata e Strasburgut mori vendim në favor të familjarëve të viktimave dhe detyroi qeverinë që t’i dëmshpërblejë. Por aty qeveria shqiptare binte dakord që të rihapej dosja dhe familjarëve t’u jepej e drejta të njiheshin me provat.
Por edhe nëse nuk ndodh kjo, mësohet se vetë familjarët do bëjnë një padi në SPAK dhe dosja pastaj do transferohet nga Prokuroria e Përgjithshme te SPAK. Por ajo që ka detyrim ligjor do kalojë në SPAK, është rasti i marrëveshje me CEZ dhe rasti CEZ- DIA, ku përfliten emra të disa politikanëve të rëndësishëm.