[sgmb id=”1″]
Tashmë është zyrtare: ndeshja kualifikuese e Botërorit ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë më 5 Shtator do të luhet në Strumicë. Ndërsa lajmi pritet të zyrtarizohet nga Federata Maqedonase, ai është konfirmuar paraprakisht nga gazeta “Makedonski Sport”.
Sipas të përditshmes, UEFA pranoi kërkesën e bërë nga FFM, duke aprovuar zhvillimin e ndeshjes kualifikuese në Strumicë, që është qyteti më i largët lindor nga Shqipëria dhe ndodhet pranë kufirit me Bullgarinë.
Ky është qyteti ku ka lindur kapiteni i maqedonasve, Goran Pandev, ndërsa të enjten që kaloi në stadiumin “Mladost” luajti edhe Shkëndija e Tetovës, që fitoi 3-0 përballë Dacias në turin e parë kualifikues të Europa League.
Në këtë mënyrë, realizohet ideja 2-vjeçare e maqedonasve, që prej hedhjes së shortit dhe pozicionimit në Grupin G kualifikues përkrah Shqipërisë, tentuan ta spostonin duelin me kuqezinjtë jashtë Shkupit.
Edhe pse maqedonasit fshihen pas argumentit se kështu po promovojnë futbollin dhe ekipin përfaqësues edhe në zonat e largëta, vendimi shihet më tepër si një mënyrë për të penalizuar tifozët shqiptarë.
Nëse ndeshja do të luhej normalisht në Shkup, nuk do të kishte dyshime që stadiumi do të mbushej me ngjyrat kuqezi. Por, me spostimin në Strumicë, një krahinë sllave dhe ku nuk ka shqiptarë, maqedonasit synojnë të kufizojnë sa më tepër që të jetë e mundur numrin e mbështetësve për ekipin mik.
Megjithatë, ashtu si ka ndodhur në çdo cep të botës ku Kombëtarja ka luajtur, tifozët kuqezi do të jenë aty, në mbështetje të Shqipërisë!