[sgmb id=”1″]
Gianni De Biasi u largua dhe tashmë Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është në kërkim të një trajneri të ri. Megjithatë, të gjesh një teknik të aftë me një buxhet të limituar është më e vështirë nga sa mund të mendohet.
Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë theksuar disa herë se nuk do të ketë një sakrificë shumë të lartë financiare për trajnerin e ri.
Siç tregojnë zyrtarët e lartë të institucionit drejtues të futbollit, sipas “Panorama Sport” paga e trajnerit të ri nuk pritet që të ketë shumë ndryshime nga ajo që kishte Xhani De Biazi në dyvjeçarin e fundit.
E përllogaritur në shifra, rreth 500 mijë euro në vit është fondi për pagën e teknikut të ri. Ky kriter ishte një nga pengesat kryesore për të mos avancuar bisedimet mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Filipo Inzagit.
Strategjia e FSHF-së do të jetë e tillë që të mos shpenzohet pafundësisht për pagesën e trajnerit të ri dhe se nuk do të jenë të gatshëm që të nënshkruajnë kontrata stratosferike për kushtet e Shqipërisë.