[sgmb id=”1″]
Pak ditë pasi i hodhën në erë lokalin, një biznesmeni në Vlorë i kanë vënë lëndë plasëse në derën e shtëpisë.
Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së dielës, bën të ditur policia, dhe ka pasur vetëm dëme materiale nga shpërthimi. Shënjestër e sulmit me lëndë plasëse ishte Robert Mehmeti, 57 vjeç, shkruan “Panorama”.
Një prej kamerave të sigurisë që biznesmeni ka vendosur pranë banesës dhe lokalit ka kapur një person me kapele që vendos lëndën plasëse. Pavarësisht se janë sekuestruar pamjet e filmuara nga kamerat e sigurisë, deri tani policia nuk ka arritur ende të bëjë identifikimin e autorit të dyshuar.
Pak ditë më parë, në lokalin e Mehmetit u vendos tritol që shkaktoi gjithashtu vetëm dëme materiale. Lokali ndodhet në katin e parë të ndërtesës në pronësi të biznesmenit 57-vjeçar. Ndërsa këtë herë lënda plasëse u vendos në derën e banesës në katin e dytë.
Sipas Policisë, biznesmenit në fjalë rreth një vit më parë i është zhdukur pa lënë gjurmë i vëllai. Deri tani ende nuk dihet fati i tij. Kjo ngjarje është një nga pistat kryesore ku policia e Vlorës ka përqendruar hetimet, edhe pse zyrtarisht nuk ka ende një pistë për këtë ngjarje.
Sipas Policisë, në momentin e shpërthimit në banesë nuk ka pasur asnjë person. Madje, saktësohet se që pas shpërthimit në lokal biznesmeni bashkë me familjarët janë larguar.
“Më datë 02.07.2017, rreth orës 03:25, në banesën e shtetasit R.M., 57 vjeç, banues në Vlorë, persona të paidentifikuar ende i kanë vendosur lëndë eksplozive (plasëse) kësaj banese. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Lirimi’ pranë rrugës ‘Demokracia’, ku dyshohet se pranë derës së kësaj banese (kati II) është vendosur një sasi e vogël lëndë shpërthyese. Si pasojë e shpërthimit kemi vetëm dëmtime të pjesshme të derës së banesës”, bën të ditur zyrtarisht policia.
Nuk dihen ende shkaqet e këtyre sulmeve ndaj biznesmenit nga Vlora, Robert Mehmeti, por hetuesit po gërmojnë në të kaluarën e kësaj familjeje, për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm që ata mund të kenë me persona të tjerë.