Loading...

Senati i miratoi sanksionet kundër Rusisë, duke e sfiduar Trumpin!

[sgmb id=”1″]

Senati i Shteteve të Bashkuara pothuajse në mënyrë unanime, mbrëmë ka votuar në favor të legjislacionit për forcimin e sanksioneve të ashpra kundër Rusisë, duke e vënë presidentin, Donald Trump, para dilemës, meqë ai synon përmirësim të raporteve me Rusinë.

Në Senat për legjislacion votuan 98 vetë, ndërsa kundër vetëm 2 ligjvënës. Me këtë masë forcohen sanksionet ekzistuese kundër Rusisë, për ndërhyrjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe për agresionin në Ukrainë. Po ashtu, penalizohet intervenimi i ushtrisë së Rusisë në Siri dhe kërkohet që presidenti Trump të kërkojë miratim të Kongresit për lehtësimin eventual ose tërheqjen e tyre.

Derisa Shtëpia e Bardhë tha se i mirëpret sanksionet e ashpra undër Rusisë, ku po ashtu përfshihen edhe Irani dhe Koreja Veriore, ajo e ka kundërshtuar bllokimin e veprimit të Presidentit, derisa ai synon realizimin e premtimeve të fushatës së tij, për të bashkëpunuar me Rusinë, në fushat siç është shkaktimi i disfatës së grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Shtëpia e Bardhë tha mbrëmë vonë se Trump ende nuk ka vendosur se a do ta nënshkruajë këtë legjislacion ose do ta përdorë veton.

Mbështetja e fuqishme dypartiake për këtë legjislacion në Kongres, do të thotë se vetoja eventuale presidenciale do të mbizotërohej. Votimi në Dhomën Përfaqësueseishte, po ashtu, tejet bindës: 419 votuan për, ndërsa kundër ishin vetëm 3 ligjvënës.

Ky kundërshtim i ashpër ndaj prioriteteve të zotit Trump për Rusinë, u bë në periudhën kur hetimet për përpjekjet e dyshuara ruse për ta ndihmuar Trumpin që të zgjedhet, janë intensifikuar në Kongres dhe në Departamentin e Drejtësisë.

Nëse nënshkruhet dhe shndërrohet në ligj, kjo masë do ta parandalojë Trumpit nga kthimi i pasurisë diplomatike, që ishte konfiskuar nga paraardhësi i tij, Barack Obama, në dhjetor të vitit të kaluar, për hakmarrje ndaj asaj që agjencitë e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara konkluduan se ishte synim i Rusisë për të anuar kah zgjedhja e Trumpit.

Rusia, që shpeshherë e ka hedhur poshtë çfarëdo involvimi për ndërhyrje në fushatë, ka kërkuar kthimin e pasurisë në bisedimet e nivelit të lartë këtë vit me Departamentin amerikan të Shtetit dhe ka shprehur gatishmëri për masa reciproke nëse kjo pasuri nuk kthehet.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se aksioni i Kongresit amerikan i shton tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës dhe vlerësoi se kjo është “për pikëllim”. Ai ka paralajmëruar masa përkatëse kundër Shteteve të Bashkuara.

“Sa i përketë asaj se çfarë përgjigjesh do të ketë nga ne, kjo do të varet nga verzioni përfundimtar i lgjislacionit”, tha mbrëmë Vladimir Putin, gjatë vizitës në Finlandë.

Mëtutje, ai u tha gazetarëve se “është e pamundshme që pafundësisht të tolerohen këto vrazhdësi ndaj vendit tonë”, dhe ka shtuar se “kjo i kalon të gjithë kufijtë e arsyeshëm” dhe sanksionet “ato janë absolutisht joligjore nga pikëvështrimi i së drejtës ndërkombëtare”.

Zoti Putin theksoi se “është për keqardhje të madhe që raportet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara po sakrifikohen për zgjidhjen e çështjeve të brendshme politike në SHBA”.

Por, anëtarët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara thanë se legjislacioni është i domosdoshëm në dritën e dëshmisë për përzierjen ruse.

Në këtë aspekt është shprehur edhe republikani, John McCain, kryesues i Komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit amerikan.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të dërgojnë mesazh të fuqishëm te Vladimir Putini dhe te secili agresor tjetër, se ne nuk do të tolerojmë sulme kundër demokracisë tonë”, tha John McCain.

Liderët e Partisë Republikane kanë kërkuar që presidenti Trump ta nënshkruajë legjislacionin.

“Nuk mund të imagjinoj se dikush seriozisht mund të mendojë për dhënie të vetos ndaj këtij legjoslacioni”, tha kryesuesi i Komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit, Bob Corker.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com