[sgmb id=”1″]
Një takim në kuadrin e luftës kundër kanabisit është zhvilluar ditën e sotme, i thirrur nga kryeministri Rama. Në këtë takim ishte pranishëm edhe Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, të cilit kryeministri i kërkoi që të goditen me përparësi kokat e krimit në vend si dhe t’u sekuestrohen pasuritë e paligjshme.
“Objektivi i parë themelor duhet të jenë kriminelët dhe pastaj bimët, jo bimët e pastaj shohim e bëjmë për kriminelët. Duhet të angazhohemi fuqishëm për të adresuar dhe një shqetësim jo të parëndësishëm të opinionit publik, që ka të bëjë me kthimin në përparësi absolute të goditjes së krerëve të këtyre grupeve kriminale dhe të sekuestrimit të aseteve. Policia e shtetit ka bërë progres në këtë drejtim gjatë këtyre 46 muajve që jemi në detyrë, por jemi të vetëdijshëm se në kuadrin e goditjes së kokave dhe sekuestrimit të aseteve kriminale ka shumë akoma për të bërë”, – tha Rama.
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur janë sekuestruar tonelata të tëra kanabisi, por shumë pak kriminelë janë kapur për këtë vepër. Po ashtu kryeministri ka deklaruar më herët se viti 2017 do të jetë viti ku do të mbyllet njëherë e mirë çështja e kanabisit.