[sgmb id=”1″]
Jetmir Buçpapës, i burgosur për grabitjen më të madhe të parave (KESH) të ndodhur ndonjëherë në Britani, i hapet rruga për tu transferuar në burgjet shqiptare.
Gjykata e Lartë në Londër ka vendosur në favor të kërkesës së palës mbrojtëse të shqitarit, duke përcaktuar se është e paligjshme që 35-vjeçarit ti refuzohet kërkesa që të kthehet në vendin e tij të lindjes, në Shqipëri, për të shlyer pjesën e mbetur të dënimit.
“Grabitja e Shekullit”
Pas grabitjes së bankës qendrore të Irakut gjatë bombardimeve në vitin 2003, kjo në 21 shkurt 2006 në Angli shënoi grabitjen më të madhe të parave (KESH) të ndodhur ndonjëherë. Për “grabitjen e shekullit”, Bucpapa u burgos për 30 vjet, por deri më tani 30 milionë paund, nga paratë e vjedhura 53 milionë, ende nuk janë gjetur.
Tropojani 35-vjeçar ishte një nga burrat e burgosur në vitin 2008 për grabitjen famëkeqe të 53 milionë £, në depot e “Securitas”, në Tonbridge, Kent. Ky ambient shërbente si magazinë parash kesh për të furnizuar sportelet e bankave dhe automatet ATM të shpërndarjes së parave.
Debatet në Gjykatë
Policia e Kent, që hetoi vjedhjen, kundërshtoi transferimin e Buçpapës, raportojnë mediat ndërkombëtare.
“Ata besojnë se zoti Bucpapa ka lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri gjë që mund të minojë aftësinë e autoriteteve shqiptare për ta mbajtur në burg atë”, u tha në Gjykatën e Lartë.
Në një seancë më herët, ish Sekretarja britanike e Drejtësisë, Liz Truss, tha se në Shqipëri ai mund të dilte nga burgu për rreth katër vite pas hekurave dhe se paratë që nuk janë gjetur ende, justifikojnë mbajtjen e tij në një burg britanik.
Si mund të sillet Buçpapa në Shqipëri
Në vitin 2013, Britania dhe Shqipëria nënshkruan një Marrëveshje për Transferimin e të Burgosurve, që i lejonte të dënuarit shqiptarë në burgjet britanike të ktheheshin për të shërbyer pjesën e mbetur të dënimit më pranë shtëpisë.
Me këtë vendim të gjykatës, raporton “Sputnik”, Buçpapa mund të transferohet në burgjet shqiptare vetëm nëse Sekretari i ri i Drejtësisë në Britani David Lidington, bie dakort.
Avokati i tij ka kërkuar transferimin në burgjet shqiptare. Nga 17 raste të mëparshme, disa prej tyre vrasës brutalë, asnjërit nuk i është refuzuar transferimi në një burg shqiptar, ka argumentuar Philip Havers QC.