[sgmb id=”1″]
Ndërmjetësimi ishte një praktikë e panjohur në Shqipëri, derisa Eni Çobani së bashku me Ardit Gjebrean e sollën si një rubrikë të veçantë në “E diela shqiptare”.
Juristja e njohur prej pesë sezonesh shfaqet në TV Klan, ndërsa gjatë ditëve të fundit përflitet se ajo do të largohet për t’iu përkushtuar një karriere të re, në politikë.
Por sa ka të vërtetë në të gjithë këtë histori? Eni Çobani është rrëfyer në një intervistë për “GSH”, ku është shprehur se “Misioni vazhdon”.
“Sa e befasuar jeni ju, jam edhe unë nga këto deklarata. Dhe më vjen habi që këto deklarata vihen në gojën e një njeriu si unë, që e njoh mirë se ç’është media, se ç’është rëndësia e një fjale kur hidhet në publik, dhe që normalisht janë totalisht të pavërteta. Unë kam thënë vetëm opinionin tim se çfarë po ndodh në Shqipëri, të drejtë që e ka çdo qytetar në Republikën e Shqipërisë, dhe nuk kam aluduar për asnjë moment fakte për të cilat janë hedhur së fundmi në publik. Shpreh keqardhjen time të thellë për sa u përket fjalëve të cilat dikush mund t’i mendojë dhe i vë në gojën e Eni Çobanit. Eni u përgjigjet vetë të gjitha pyetjeve që mund të ketë dikush dhe mund t’ia bëjë dhe drejtpërdrejt”, ka thënë Eni Çobani.
Më tej, juristja e njohur ka treguar se nuk ka në plan të largohet nga ekrani dhe puna e saj si ndërmjetëse.
“Misioni vazhdon! Javë pas jave do të jemi atje me zotin Gjebrea, të vazhdojmë këtë mision të madh jo vetëm tonin, por është misioni i shqiptarëve që duan drejtësi. Dhe Eni Çobani e ka zgjedhur prej pesë vitesh edhe vendin e saj, është motivi im, dhe do të vazhdojë në ndihmë të shqiptarëve”, tregoi ajo.
Sipas Eni Çobanit, “Njerëzit, nga dëshira për të pasur njerëz të rinj në politikë, dëshirojnë që të marrin edhe njerëz nga shoqëria civile dhe t’i implementojnë brenda politikës, pa kuptuar që këto janë zgjedhje individuale, personale, dhe jo të formuara nga dëshirat e njerëzve. Pra Eni Çobani nëse këto zgjedhje do t’i kish bërë, do t’i bënte me kohë dhe do t’ia kishte vënë publikut përballë zgjedhjet e saj, por ju më keni parë që unë e kam bërë zgjedhjen time; unë jam pjesë e sistemit të drejtësisë, jam e nderuar dhe e privilegjuar nga një bashkëpunim siç është ai me zotin Gjebrea dhe me televizionin “Klan”, dhe që nuk e kam menduar për asnjë moment largimin apo ndarjen e këtij misioni timin shpirtëror, tanimë dhe profesional, nga fusha e ndërmjetësimit”.
Përfundimisht, juristja tregon se do të vazhdojë ndërmjetësimin me shqiptarët, për t’iu thënë edhe politikës, edhe opinionit, që pa vënë drejtësi në këtë vend nuk do të ketë kurrë qetësi.