[sgmb id=”1″]
Xhani De Biazi mendon se trajneri i ri i Kombëtares shqiptare është zgjedhja e duhur që ka bërë kreu i FSHF-së, Armand Duka. Ish-kreu i pankinës kuqezi që bëri histori me Shqipërinë, dje, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” foli për Kristian Panuçin, duke mos ngurruar t’i japë disa këshilla edhe për lojtarë të veçantë. “Duhet të ketë kujdes me Kaçen dhe Xhakën”, ka thënë ndër të tjera De Biazi, i cili zbuloi se së shpejti do të ketë një takim me Panuçin.
Mister, ç’mendim keni për Panuçin në stolin kuqezi?
Është zgjedhja e duhur! Mendoj se do të bëjë mirë te Shqipëria.
E thoni këtë për mirësjellje apo e besoni vërtet?
Nuk e them për mirësjellje. Ai është i ri, i aftë dhe i vendosur.
Dakord, por ai nuk ka eksperiencë…
Në fakt, nuk është tamam kështu… Kristian ka luajtur në nivelet më të larta si futbollist, më pas ka drejtuar Ternanën, Livornon dhe ka pasur një eksperiencë mbresëlënëse si ndihmës i Kapelos në Rusi. Nuk është pak apo jo?
Megjithatë, ai si trajner i parë nuk është se mbahet mend për ndonjë gjë…
E kuptoj dyshimin tuaj, por mendoj se të qenit trajner është edhe çështje karakteri. Shikojeni Tramexanin. Edhe ai nuk ishte trajner i parë deri para disa muajsh, por tani është duke ecur me sukses dhe me hapa të shpejtë.
Panuçi u prezantua në konferencë si miku juaj. Nëse është kështu, ju a keni ndonjë këshillë për të?
Atëherë… Panuçi është zgjedhur nga presidenti Duka në krye të stolit, sepse në dijeninë time, Duka ka mbetur i befasuar nga impakti i parë që ka pasur me të. Këtë ma pohoi vetë Duka, sepse më tha që, në bisedën e parë, Panuçi i kishte ngjasuar shumë me mua sa i përket karakterit.
Ndërkaq, unë i thashë Dukës se, nëse ishte i kënaqur me zgjedhjen që po bënte, do ta mbështesja. I kam folur shumë për të, ashtu sikundër i kam folur edhe për gjëra të tjera në lidhje me Sedorfin, Malezanin dhe Zengën. Për të tjerët nuk i kam folur.
Pse besoni kaq shumë te Panuçi?
Sepse është i ri, i vendosur dhe i qartë. Ai mund t’i japë vazhdimësi punës që është bërë në këto 5 vite e gjysmë dhe unë jam i kënaqur me këtë.
Sa e mendoni se e njeh Panuçi skuadrën tonë?
Mendoj se Kristian e ka parë skuadrën tonë si luan, ka parë lojtarët dhe e ka një ide të qartë se çfarë përfaqëson Shqipëria…
Çfarë këshille do t’i jepnit atij?
Ndonjë këshillë edhe mund t’ia jap… Ai më tha se dëshiron të vijë të më takojë dhe aty do të flasim për gjithçka… për taktikën, për elementët teknikë dhe për karakterin që ka skuadra që ai do të drejtojë.
Besoj se do të jetë më së shumti bisedë në rrafshin taktiko-teknik, por dua të jem i ndershëm dhe t’ju them se nuk kam ndonjë këshillë speciale për atë. Ai është djalë i zgjuar, me këmbë në tokë dhe me shumë eksperiencë në futbollin e niveleve të larta…
A e keni idenë se si luajnë skuadrat e Panuçit. I keni parë ndonjëherë ekipet e tij?
Një trajner nuk gjykohet për mënyrën se si luan një ndeshje apo disa ndeshje skuadra e tij. Megjithatë, unë mbetem besimplotë se Panuçi ka eksperiencën e duhur për t’ia dalë mbanë.
Si duhet të sillet me lojtarët “rebelë” si Kaçe dhe Xhaka?
Nuk kam ndër mend të ndërhyj aspak në mënyrën se si ai menaxhon një grup lojtarësh. Unë kisha mënyrën time të punës, ndërsa ai ka të vetën. Megjithatë, përveç Kaçes, nuk ka asnjë problem me ndonjë tjetër. Zero, absolutisht zero.
Ergys Kace, perpara ndeshjes miqesore te futbollit ndermjet ekipeve kombetare, Shqiperi – Marok, 0-0, e luajtur ne stadiumin e rikonstruktuar Loro Borici ne qytetin e Shkodres.
Po Xhaka?
Panuçi nuk ka asnjë problem me Xhakën dhe natyrisht gjithçka do të nisë nga e para. Xhaka nuk ka asnjë problem, përveçse me shokët e tij, që i braktisi pas ndeshjes me Italinë dhe me tifozët, të cilëve u detyrohet një shpjegim për atë sjellje.
Xhaka duhet t’u kërkojë ndjesë tifozëve, sepse gjeste të tilla, sipas meje, nuk duhet kurrsesi të kalojnë në plan të dytë. Respekti për ata që na mbështesin, duhet të jetë maksimal. Gjithnjë! Xhaka duhet të mësojë shumë edhe nga shokët e tij dhe të mos sillet sikur është i pari i klasës, sepse nuk është hiç i pari i klasës…
Panuçi do të ketë një “problem” për të zgjedhur mes Berishës dhe Strakoshës. Ju cilin do t’i sugjeronit?
Detyra e trajnerit është që të zgjedhë. E rëndësishme është që ai të ketë lojtarët e duhur. Nëse ka lojtarë cilësorë, aq më mirë për të. Do luajë kush është në formë, por zgjedhjet i bën trajneri, sepse është e drejtë dhe përgjegjësi direkte e tij.
Panuçi tha dje se Shqipëria do të shkojë në Europian. Mos po rrezikon shumë me këtë premtim?
Po pse çfarë prisnit juve, që ai të thoshte se do të mbërrini të fundit?! E rëndësishme është që të ketë ambicie dhe të ketë një grup lojtarësh të gatshëm, të punojnë si një trup i vetëm. Nëse kjo ndodh, atëherë je më pranë objektivave, por gjithsesi asnjëherë nuk ke garanci nëse ia del apo jo. Këtë garanci nuk ta ofron askush.
Duhet mbështetur dhe i duhet dhënë besim, me qëllim që ai këtë besim t’ua transmetojë edhe lojtarëve. Duhet klimë pozitive dhe këmbëngulje. Pastaj varet edhe se çfarë fati ke në grup, sepse nëse Shqipërisë i bie sistematikisht Spanja dhe Italia, atëherë askush nuk ka se çfarë të bëjë dhe harrojeni kualifikimin…(qesh).