[sgmb id=”1″]
Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata të Bashkimit Europian firmosën një marrëveshje historik ekonomike, e cila do t’i hapë rrugën krijimit të një tregu të përbashkët në rajon.
Ujdia u nënshkrua gjatë takimit të nivelit të lartë të Triestes, i zhvilluar në vazhdën e procesit të Berlinit, një iniciativë kjo e kancelares gjermane, Angela Merkel. Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini e cilësoi progresin e arritur gjatë samiti si tepër të rëndësishëm.
“Samiti ishte i sukseshëm ne dy aspekte kryesore. Ai konfirmoi perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrimin në BE. Të 6-shta vendet janë qartazi shumë të përkushtuara për integrimin dhe ne jemi të vendosur për ta mbajtur derën të hapur. Arritja e dytë më e madhe e këtij samiti janë projektet praktike që financohen nga donacioni i BE-së e që do të mundësojnë lidhjen e rrugëve të reja për qytetarët e rajonit, e gjithashtu për lidhjen me Bashkimin Europian”, u shpreh Federica Mogherini, shefja e diplomacisë europiane.
Liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për krijimin e një zone të përbashkët ekonomike, e cila shihet si zgjatim i marrëveshjet europiane për tregtinë e lirë, CEFTA.
“Ne i kemi moderuar pritshmëritë tona duke ju përshtatur kontekstit në të cilin jetojmë dhe në të cilin gjendet BE. Por është shumë e rëndësishme të vazhdojmë procesin dhe të mos harrojmë që kur ky proces nisi, ne nuk kishin në gjendje as të takonim njëri-tjetrin. Tani takimet nuk janë më historike, madje ndonjëherë bëhen të mërzitshme”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ministri i Jashtëm kosovar, Enver Hoxhaj i sheh si një progres të rëndësishëm bisedimet për krijimin e një tregu të përbashkët.
“Komisioni Europian na vuri përpara një propozim të ri, i cili ndryshonte nga ai që na u propozua në shkurt, pasi në atë kohe ideja që ne të kishim një treg të përbashkët përballej me sfida të mëdha për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Serbia”, tha Hoxhaj.
Me pozitivitet e sheh idenë edhe homologu i tij serb, Ivica Daçiç. “U parashtruan propozime e versione të ndryshme të marrëveshjes dhe u arrit konsensus për kushtet e zonës së përbashkët ekonomike që konsistojnë në 4 fusha për të cilat të gjithë u dakorduan”, tha Daçiç.
Përkushtimin për të ndihmuar Ballkanin në afrimin me BE-në, kancelarja Angela Merkel e shprehu që në fjalën hapëse të samitit.
“Detyra jonë si liderë në këtë samit është të nxisim vendet e Ballkanit në rrugën e zhvillimit, duke zbatuar hap pas hapi detyrat për në rrugën drejt BE-së. Stabiliteti politik në Ballkan do të thotë stabilitet i vendeve tona”, tha Merkel.
Kancelarja vlerësoi qeverisjen e Kryeministrit shqiptar Edi Rama e pasi e uroi personalisht për fitoren theksoi se Shqipëria ka hyrë në rrugën e progresit.
Ndërsa kryeministri italian, Paolo Gentiloni tha në fjalën e tij krah udhëheqëses gjermane dhe presidentit francez Emanuel Macron, se një Europë e bashkuar dhe e fuqishme mund të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin.
Në prag të takimi, Komisioneri Europian për Zgjerimin, Johanes Hahn parlajmëroi se vendet ballkanike duhet të bëjnë më shumë për të treguar përkushtimin e tyre për demokracinë dhe sundimin e ligjit në mënyrë që t’i bashkohen bllokut.
“Do të donim të shihnim garanci e sjellje që do të sugjerojnë se vendet kanë përthithur vlerat europiane”, ishin fjalët e Hahn në Trieste.
Ndërsa vlerësoi përkushtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Hahn e bëri të qartë se anëtarësimi do të bazohet tek meritat. “Data nuk është e përcaktuar, gjithçka është në dorë të tyre”, vijoi eurokomisioneri.