Loading...

Veliaj ‘tradhton’ Ramën: Ja cfarë mendoj për Metën dhe LSI-në.

[sgmb id=”1″]

Para dy vjetësh, Erion Veliaj u fut në Bashkinë e Tiranës si kryetar i saj. Nga ai moment, Veliaj ka qenë shpesh herë në studion e “Top Story”. Hera e fundit ka qenë 6 muaj më parë dhe që nga ai moment ka qenë shumë e vështirë të realizosh një emision me Erion Veliajn në studio.

Arsyeja është sheshi “Skënderbej”, i cili ka marrë një formë të re, në 100-vjetorin e themelimit të tij. Nga ky shesh, për “Top Story”, Erion Veliaj foli për qytetin dhe aktualitetin politik.

Në lidhje me sheshin “Skënderbej”, kryebashkiaku tha: “Ka qenë përtej pritshmërive të mia dhe në një bisedë me Edi Ramën rezulton të jetë jashtë pritshmërisë edhe të tij. Mendonim se sheshi do të ishte popullor, por jo me këtë frekuentim kaq të madh dhe në orët e vona. Ka qenë edhe një lloj shpagimi e të gjithë atij helmi që me sportivitet ballkanik derdhet për çdo projekt publik. E vetmja garanci që kisha është se po ashtu si këndi i lodrave që u parapri me një histeri të jashtëzakonshme, isha i bindur që do të ishte sukses”.

Duke iu referuar kostove të sheshit, Veliaj theksoi se, “fondi i parkimeve me sms shkon në buxhetin e bashkisë për pyllëzimin. Në një vit e gjysmë, të ardhurat nga parkimi lajnë shpenzimet e parkimit e më pas të ardhurat do të jenë për mirëmbajtjen e sheshit. Sheshi mban veten dhe nuk i merr asnjë cent bashkisë”.

Përsa i përket aspektit politik, duke folur për bashkëpunimin me LSI-në, Veliaj deklaroi: “Kam pasur bashkëpunim fantastik me LSI-në dhe Ilir Metën. Edhe me PDIU e FRD kam pasur bashkëpunim të mirë. Në arenën time, mision kryesor është mbarëvajtja e punëve të qytetit. I jam mirënjohës patjetër LSI-së sepse besoj se kemi marrë vendime në dobi të qytetit. Fushata zgjon një lloj pasioni, nis një garë sprinti në 30 ditët e fushatës, ku të gjithë duan të dalin të parët. Besoj se është legjitime që PS-ja ka synim mbi 71 mandate, ndërsa LSI-ja të thotë që janë parti e parë dhe e paparë. Këtë gjë do të bëja edhe unë po të isha kryetar partie. E shikoj mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët pas zgjedhjeve. Gjithmonë do të ketë mundësi për bashkëpunim, në një mënyrë apo në një tjetër”.

Veliaj mendon se marrëveshja Rama-Basha i ka bërë mirë Tiranës.

“Për të mirën e qytetit, them se marrëveshja ka ulur tensionin. Janë rikthyer autobusët me turistë dhe për këtë them që ia kam parë hajrin kësaj marrëveshjeje. Në ditët e çadrës kishte 100-200 turistë në ditë, sot kemi 2000. Ishin 100 milionë euro biznes që i munguan Tiranës gjatë periudhës së çadrës. Edhe shitblerja e pronës u pengua. Politikisht, i fituar ishte Edi Rama. Zgjedhjet u shtynë vetëm me një javë. Edi u tregua gjenial me këtë lëvizje. Besoj që për PS-në kjo ishte win-win”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj ishte shumë i qartë se kë preferonte mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nëse do i duhej të zgjidhte një aleat pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Realisht, dyshoj që PD të jetë forcë e dytë. Jam në fushatë në Tiranë dhe nuk shoh aktivitet të PD-së në shumë zona. Të kesh kandidatë që prishin kënde lodrash me pistoletë dhe kapele kaubojsi… Nëse do të ishte absolutisht e nevojshme, patjetër LSI-në përpara PD-së. Nuk i besoj dot një njeriu që nuk nguli një gozhdë në Tiranë”, tha Veliaj.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com