[sgmb id=”1″]
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka nisur takime intensive me drejtues të forcës politike që drejton, në një kohë që proçesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit është drejt fundit.
Pas takimit me ish-Kryeministrin Sali Berisha, kreu i PD-së ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm, Arben Ristani, dhe Nënkryetarin e kësaj partie, Edi Paloka.
Besohet se në qendër të takimit të Bashës me dy prej drejtuesve kryesorë të PD-së ishte proçesi zgjedhor, veçanërisht pas shpërthimit të aleatit të tij, Agron Duka, që vuri gishtin tek inekzistenca e strukturave të PD-së në zgjedhjet e 25 Qershorit, si një nga shkaqet e rezultatit humbës në këto zgjedhje.
Kreu demokrat Lulzim Basha ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë apo qëndrim mbi proçesin zgjedhor, ndonëse pritet që në orët në vazhdim të ketë një komunikim me mediat.
Prej ditës së djeshme, në rrjetet sociale apo reagime të ndryshme është kërkuar dorëheqja e Bashës nga posti i Kryetarit të PD-së, megjithëse kjo parti pritet që brenda 10 ditëve të para të muajit Korrik të zhvillojë zgjedhjet e brendshme, ku do të votohet përmes parimit një anëtar një votë për zgjedhjen e Kreut të ri të PD-së.