Loading...

TRITOL LOKALIT TË ISH-KREUT TË ALUIZNI-T, JA PISTAT KU PO HETON POLICIA.

[sgmb id=”1″]

Sulmohet me lëndë plasëse biznesi i ish drejtorit të ALUIZNIt në Krujë (aktualisht me detyrë specialist), Mondi Voga.

Sipas Policisë, persona ende të paidentifikuar kanë shpërthyer lëndën plasëse në bar-restorantin në pronësi të 41-vjeçarit.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e së premtes në fshatin Krastë të rrethit Krujë, por fatmirësisht, si pasojë e shpërthimit, nuk raportohen të lënduar, përveçse dëme materiale në objektin ku ishte hedhur lënda plasëse e llojit tritol. “Mesnatën e së premtes, rreth orës 00:23,

Policia ka marrë njoftim se në Krastë, në pjesën hyrëse të lokalit barrestorant në pronësi të shtetasit M.V., 41 vjeç, banues në Fushë-Krujë, kanë vendosur dhe ka shpërthyer një sasi lënde plasëse. Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet policore”, thuhej në njoftimin e dhënë nga Policia.

Mësohet se në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona pranë objektit, ndërsa autorët kanë përfituar nga errësira për të kryer shpërthimin dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur. Ekspertët antieksplozivë dolën në konkluzionin se lënda plasëse e përdorur për shpërthimin është e llojit tritol.

Sipas tyre, është përdorur një sasi e vogël tritoli, rreth 100 gramë, i cili ishte vendosur në pjesën hyrëse të lokalit barrestorant në pronësi të ishdrejtorit të ALUIZNI-t në Krujë.

Për pasojë janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si vetrata e xhamit dhe një pjesë e ambientit në brendësi.

Për të zbardhur ngjarjen dhe identifikuar autorët, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po heton në drejtime të ndryshme.

Burime të Policisë bënë të ditur se 41-vjeçari ka deklaruar përpara hetuesve se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët dhe se nuk ka konflikte të hapura me persona të tjerë.

“Nuk mund t’ia vë gishtin asnjë personi për shpërthimin në pronën time. Nuk kam pasur probleme dhe konflikte me persona të tjera, as sot dhe as më herët.

Kërkoj nga policia të zbardhet ngjarja, të identifikohen dhe arrestohen autorët”, është shprehur Voga.

Edhe pse biznesmeni (punonjës në drejtorinë e ALUIZNI-t Krujë) shprehet se nuk ka konflikte, ekspertët mendojnë se shpërthimi ka të bëjë me detyrën e tij kur ishte drejtor i ALUIZNI-t apo edhe tani që mban pozicionin e specialistit pranë këtij institucioni.

Policia ka shoqëruar mbi 10 persona në ambientet e Komisariatit Krujë dhe në postën e Policisë në Fushë Krujë, si të dyshuar apo që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen apo konfliktet e mundshme me pronarin e barrestorantit që iu vendos lëndë plasese.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com