[sgmb id=”1″]
Ministrat teknikë të PD-së deklarojnë se do të vijojnë detyrën e tyre, sipas Kushtetutës.
Pas deklaratave të bëra gjatë fushatës nga kryeministri Edi Rama, se do t’i largonte menjëherë më 26 qershor, të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” ministrat teknikë deklarojnë se ata janë dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe do të respektojnë nenin 106 të Kushtetutës, që do të thotë se do të rrinë deri në mandatimin e qeverisë së re. Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina tha:
“Ne jemi në detyrë. Vazhdojmë punën. Jemi dekretuar nga presidenti dhe kaq”. Po në të njëjtin mendim ishte edhe ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Xhulieta Kërtusha. “Ne do të zbatojmë Kushtetutën, nenin 106”, – tha ajo.
Emërimi i 6 ministrave teknikë në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama ishte pjesë e marrëveshjes së dakordësuar më 18 maj, mes Ramës e Lulzim Bashës, për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm. Pikërisht pas propozimeve që kryeministrit Rama i erdhën nga kreu i opozitës Lulzim Basha, emrat u dërguan dhe u dekretuan edhe nga presidenti Bujar Nishani më 22 maj.
Nishani dekretoi largimin nga detyra të zv/kryeministrit Niko Peleshi dhe zëvendësimin e tij me Ledina Mandijën, largimin e Fatmir Xhafajt te Ministria e Brendshme dhe zëvendësimin e tij me Dritan Demirajn, Arben Ahmetajn te Financat me Helga Vukajn, Petrit Vasilin e Ministrisë së Drejtësisë me Gazmend Bardhin, Lindita Nikollën e Ministrisë së Arsimit me Mirela Karabinon, Ogerta Manastirliun e Ministrisë së Shëndetësisë me Arben Beqirin si dhe Olta Xhaçkën e Ministrisë së Punës me Xhuljeta Kërtushën.
Me ardhjen e tyre në qeveri, ministrat teknikë nisën një valë shkarkimesh të punonjësve të administratës, duke e motivuar me përfshirjen e tyre në fushatë për partitë përkatëse, PS apo LSI. Pas situatës së krijuar, kryeministri në deklarata e bëra, gjatë fushatës tha se këta ministra do të largoheshin më datë 26 qershor. Por duket se ministrat teknikë nuk do të pranojnë të largohen nga detyra.
Nuk dihet nëse vetë Rama do të ketë mundësi të kërkojë ndryshim ministrash, për sa kohë ai pret të rimarrë zyrtarisht detyrën, edhe pse në bazë të po këtij neni ai vijon të jetë në detyrë deri në mandatimin e qeverisë pasardhëse. Nuk dihet nëse deklarata e kryeministrit Rama ishte për të inkurajuar punonjësit e administratës që u shkarkuan për shkak të fushatës dhe për t’u thënë se do të rikthehen në detyrë. Mbetet për t’u parë hapat e kreut të qeverisë në ditët në vijim.