[sgmb id=”1″]
Edhe Policia e Vlorës ka bërë instruktazhet e fundit për të qenë gati në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ku të djelën shqiptarët i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
Në Policinë e Vlorës janë angazhuar 462 efektivë për të ruajtur qendra e votimit dhe më tej të numërimit të votave.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Vlorës
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në programin e punës të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit “Mbi garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë periudhës zgjedhore , në zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë, nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë si dhe 4 Komisariatet në vartësi të saj, kanë marrë e po zbatojnë të gjitha masat e duhura sipas procedurave standarde.
– Secili punonjës policie është trajnuar si dhe është pajisur me librin e xhepit kujtesë dhe me dokumentin identifikues sipas numrit kodik të punonjësve që do të angazhohen me shërbime gjatë procesit zgjedhor.
– Janë ngritur grupet e drejtimit në Komisariate dhe Grupi i Koordinimit në Drejtori për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe menaxhimin e çdo lloj situate bazuar në planin e veçantë të masave ” Për menaxhimin policor të situatave të papritura gjatë procesit zgjedhor” .
– Është ngritur një grup pune i cili do raportojë në hartën digitale masat e Policisë Vendore Vlorë për ruajtjen e objekteve zgjedhore duke pasqyruar për punonjësit e policisë për çdo qendër votimi me përgjegjësitë e tyre edhe numrat e telefonit. Kjo me qëllim që të kemi një komunikim real për çdo rast që punonjësit e policisë me shërbim do të kenë nevojë, t’i jepen orientime të shpejta që zgjedhjet të jenë vetëm në bazë dhe në zbatim të ligjit.
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë instruktazhi për punonjësit e policisë që janë të angazhuar në ruajtjen e qendrave të votimit , të KZAZ-ve dhe VNV-ve.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, porositi edhe njëherë të gjithë punonjësit e policisë që të tregojnë profesionalizëm dhe të kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë të barabartë, me paanshmëri politike, vetëm në bazë dhe për zbatim të ligjit duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore e kushtetuese të njeriut.
Gjithashtu të veprojnë vetëm dhe për zbatim të detyrave e përgjegjësive që atyre u takojnë si dhe të kenë parasysh procedurat që janë trajnuar në çdo situatë.
Në lidhje me objektet zgjedhore (KZAZ, QV, VNV), si dhe punonjësit e Policisë së Shtetit të planifikuar me shërbim për zgjedhjet e Kuvendit të Shqipërisë në datën 25 Qershor 2017, në Qarkun Vlorë ka gjithsej:
467 objekte zgjedhore, nga këto: 10 KZAZ, 10 VNV si dhe 447 QV (qendra votimi)
Objekti zgjedhor ku është vendosur KZAZ, pas përfundimit të procesit të votimit, do funksionojnë edhe si VNV. Pra në këto godina do kryhet edhe numërimi i votave.
Për ruajtjen e këtyre objekteve janë angazhuar 462 punonjës policie.
Policia e Vlorës, ju bën thirrje të gjithë drejtuesve të subjekteve zgjedhore dhe komunitetit që për çdo qëndrim a sjellje jo korrekte dhe jo ligjore të kryera nga punonjësit e policisë, qytetarë të ndryshëm a përfaqësues të subjekteve politike që bien ndesh me Kodin Zgjedhor dhe ligjin t’i denoncojnë ato menjëherë në numrin 0800 0 129, duke ju garantuar trajtimin dhe marrjen e masave të rrepta të menjëhershme ndaj punonjësve të policisë përgjegjës, apo ndaj cilitdo që do shkelë ligjin.
Gjithashtu Policia e Vlorës ndjek me seriozitet e përgjegjësi çdo situatë dhe garanton rendin e sigurinë publike në çdo situatë me transparencë të plotë ndaj medias dhe publikut.