Loading...

‘Mos bëj zë, s’ikim pa marrë paratë’, si i dorëzoi kryefamiljari 10 mijë euro.

[sgmb id=”1″]

Kohët e fundit janë shtuar rastet e grabitjeve në qarkun e Fierit. Vjedhja e radhës është shënuar në fshatin Zhupan, ku në banesën e një të moshuari tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë dhunshëm duke bastisur shtëpinë, shkruan Panorama”.

Bëhet fjalë për banesën e shtetasit Azbi Lilo, 63 vjeç, dhe bashkëshorten e tij të cilët kanë qenë në gjumë, kur grabitësit kanë shpërthyer derën kryesore. Fillimisht, siç pohojnë disa burime të hetimit, 63-vjeçari ka dëgjuar zhurmën e derës dhe është çuar nga shtrati për të parë çfarë kishte ndodhur, por sapo ka dalë në derën e dhomës ku flinte, persona të maskuar dhe me armë në duar e kanë urdhëruar të mos lëvizë dhe të mos bëjë zë.

Sipas dëshmisë së tij për oficerët e policisë në Komisariatin e Fierit, i detyruar dhe nën kërcënimin e armës, pronari i banesës i është bindur urdhrit të grabitësve duke mos pasur rrugëzgjidhje tjetër.

Ndërkohë, mësohet se grabitësit që kishin dijeni se në banesë çifti mbante shumë të konsiderueshme parash, i kanë thënë se qëllimi i tyre ishin paratë dhe se nuk donin të lëndonin askënd.

Duke e kërcënuar që t’i nxjerrë vetë paratë nga vendi ku i mbante të fshehura, në të kundërt do të vepronin, i zoti i shtëpisë fillimisht u është përgjigjur se në banesën e tij nuk mbante para.

Por kjo duket se ka sjellë reagimin e ashpër të autorëve, duke i thënë të moshuarit se nuk do të dilnin nga ajo shtëpi pa marrë paratë, ndërsa e kanë kërcënuar me jetë.

Lilo, banues në fshatin Zhupan, duke u ndier nën presionin e kërcënimit të armës, është detyruar të marrë paratë që mbante në shtëpi, shumë që shkonte në 10 mijë euro, duke ua dorëzuar tre grabitësve.

Ndërkohë, autorët kanë gjetur më pas edhe një armë gjahu të tipit “Çifte”, të cilën e mbante për vetëmbrojtje, që, po ashtu, ia kanë marrë. Policia është duke hetuar për identifikimin dhe kapjen e grabitësve, ndërsa po verifikon edhe aktivitetin e personit, viktimë e kësaj grabitjeje.

Nga dëshmia e 63- vjeçarit, autorët e grabitjes nuk kanë përdorur dhunë fizike, si edhe nuk kanë qëlluar me armë. Ndërkohë, pasi morën paratë, autorët u larguan me shpejtësi me një automjet që e kishin parkuar pranë banesës së të moshuarit.

Dyshimet e para për këtë ngjarje bien mbi persona të njohur të familjes, pasi autorët kanë qenë të mirinformuar për praninë e parave në banesë. Policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar për ngjarjen, si dhe i ka marrë në pyetje, ndërkohë që grupi hetimor po punon për identifikimin dhe më tej arrestimin e tre personave që kanë kryer grabitjen me armë.

Paraprakisht, bëhet e ditur se familja Lilo kishte një djalë emigrant, i cili i dërgonte para në shtëpi, me qëllim që t’i ruanin kursimet. 63-vjeçari vetë ishte i papunë dhe jetesën e siguronte nga bujqësia dhe ndihma që i jepnin fëmijët që punojnë si emigrantë në Greqi.

Në një komunikatë zyrtare Policia ka bërë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 04:30 të së dielës, ku persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë me dhunë në banesën e shtetasit Azbi Lilo, 63 vjeç dhe janë larguar duke marrë me vete një shumë prej rreth 10 mijë euro.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com