[sgmb id=”1″]
Mediat pranë pushtetarëve në Serbi termin “Shqipëri Etnike”, gjithnjë e bashkangjisin me ndonjë plan misterioz dhe ogurzi që po kurdisin qarqe shqiptare pas shpinës së fqinjëve. Ky interpretim alogjik, kërkon herë pas herë të lëshojë rrënjë konfliktuale mediatike. “Shqipërinë Etnike” jo pa qëllim e përkthejnë “Shqipëri e madhe”. Ndoshta e kanë të qartë se me termin e parë nuk mund të artikullojnë marrëzira, ndaj edhe spekullojnë fort me të dytin, me shpresë për vëmendje elektorale për bosat e tyre që nuk kursehen për altopolantët e tyre llafezanë. Shkruan Shqipëriaime.al
Në vijim gjejmë reagimin e mediave serbe, në lidhje me intervisten që presidenti turk Erdogan, i dha një ditë më parë gazetarit Sokol Balla.
Mediat serbe i kanë kushtuar vëmendje intervistës së presidentit turk Erdogan për një televizion shqiptar.
Mediat serbe kanë cituar vetëm pjesën kur Erdogan flet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, dhe thotë se ideja e bashkimi të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës është e papranueshme për Turqinë.
‘B92’ shkruan se Erdogan ka thënë se Turqia respekton sovranitetin dhe integritetin e vendeve në Ballkan dhe se i ka thënë ‘jo’ pretendimeve për Shqipërinë e Madhe.
Ndërhyrje si ato që kemi parë në histori janë të gabuara. Çfarëdo që po ndodh në Lindjen e Mesme, në Irak, Siri ne shohim pasojat e këtyre ndërhyrjeve në portat tona dhe nuk duam të shohim ndërhyrje të ngjashme në Ballkan.
Ekzistojnë ata që po bëjnë llogari të tilla me Ballkanin dhe ne nuk do t’i lejojmë ata që të arrijnë synimet e tyre. Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit duhet të respektohet njëherë e përgjithmonë. Këtë mbrojmë ne dhe kështu duhet të jetë.
Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, apo Serbia s’ka rëndësi emri, për asnjë nuk duhet të luhen më këto lojëra.
Të gjitha këto vende duhet të ruajnë integritetin territorial, siç ka qenë në të kaluarën, e siç duhet të jetë në të ardhmen”, ka thënë Erdogan.