[sgmb id=”1″]
Familjarët e dy të miturve që u mbytën dje në Erzen kanë provuar gjithçka për t’i mbajtur në jetë, por duket se vonesa e ambulancës ua ka shuar shpresat.
Pasi kanë pritur për më shumë se 30 minuta që të vinte autoambulanca, të afërmit e dy djemve i kanë nisur vetë për në spital me një makinë të rastit. Xhaxhai i tyre, Ndriçim Bardhi, tregon se si e morën vesh ngjarjen tragjike në ditën e Bajramit dhe tentativat për t’i mbajtur në jetë, duke u dhënë ndihmën e parë në vendngjarje.
Ai shprehet se kanë qenë disa banorë të fshatit që i kanë lajmëruar për atë që kishte ndodhur, por të gjithëve u dukej e pabesueshme, pasi djemtë nuk ishin larë asnjëherë më parë në lumë.
“Ne ishim të gjithë në shtëpi, sepse sot ishte festa e Fiter Bajramit dhe prisnim vizita. Na kanë lajmëruar me telefon dhe na thanë se çfarë kishte ndodhur.
Nuk e imagjinonim dot që ishte e vërtetë kur na thanë se Gusti dhe Sinani ishin mbytur në lumë”, shprehet xhaxhai i të miturve.
Ai thotë se kjo është tragjedia më e rëndë që po përjetojnë në një ditë që duhej të ishte festë për familjen e tyre.
“Për momentin nuk e besuam dot se kjo mund të ishte e vërtetë. Ata nuk ishin larë kurrë më parë në atë vend.
Ishte hera e parë. Nuk e prisnim që ata do të shkonin të laheshin në Erzen e aq më tepër që do ndodhte kjo tragjedi”, shprehet Ndriçim Bardhi. XHAXHAI”
Xhaxhai i fëmijëve të mbytur, Ndriçim Bardhi, thotë se nipat e tij kishin ende shenja jete kur i nxorën nga lumi, por për fat të keq ndërruan jetë në ambulancë, rrugës për në spital.
Sipas tij, prindërit e dy të ndjerëve ishin duke pritur vizitat e të afërmve me rastin e Fiter Bajramit dhe se kur të përcillnin njerëzit do të niseshin për të votuar, kur papritur morën lajmin e keq.
Më tej ai tregon se ka telefonuar ambulancën, duke insistuar që të vinte shpejt pasi nuk priste puna, por ajo është vonuar më shumë se gjysmë ore.
“E kam telefonuar vetë ambulancën që në momentin kur më lajmëruan për ngjarjen dhe ka ardhur gati pas gjysmë ore.
Kur po prisnim që të vinte ambulanca kemi tentuar që t’ua japim vetë fëmijëve ndihmën e parë.
I nxorëm në breg, i shtrimë afër pemëve dhe filluam t’u jepnim ndihmën e parë, frymëmarrje artificiale, me aq sa mundëm”, tregon ai.
Më pas shprehet se i kanë nisur fëmijët vetë për në spital dhe rrugës kanë ndeshur në ambulancën që po shkonte aty dhe kanë ndaluar.
Stafi mjekësor ka marrë fëmijët dhe janë nisur me urgjencë drejt spitalit, por ata nuk kanë mundur të mbijetojnë. “Ambulanca po vonohej.
U mërzitëm shumë dhe i morëm fëmijët vetë me makinë që t’i përcillnim për në spital dhe gjatë rrugës jemi ndeshur me ambulancën, përtej Urës së Beshirit”, shprehet Ndriçim Bardhi.