Loading...

MAGAZINA ME 12 TON KANABIS NË PËRMET, ZBULOHEN 3 PRONARËT BIZNESMENË.

[sgmb id=”1″]

Tre persona nga Tirana me aktivitet në biznese private dhe një nga Tepelena, po verifikohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si pronarë të mundshëm apo financues të kanabisit të gjetur në prill 2017, në tunelet e ish-rezervave të shtetit në Përmet

Në këtë zonë, gjatë aksionit “Pagri 2017”, u gjet në ish-depot e shtetit një sasi prej 12 tonë kanabis. Bazuar në dëshmitë e marra prej banorëve të zonës në fshatin ku u gjet kanabisi në Përmet, por edhe referuar tabulateve telefonike të shtetasve të arrestuar, Prokuroria dyshon se tre sipërmarrës nga Tirana me aktivitet në pronësinë e lokaleve të ndryshme dhe pikave të basteve, mund të jenë financues të aktivitetit kriminal në Përmet.

Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar në lidhje me identitetin e personave që po hetohen, pasi mësohet se të dyshuarit janë duke u hetuar dhe madje për ta ka edhe urdhra ndalimi, me qëllim verifikimin e rolit që kanë pasur në ngjarje.

I dyshuari nga Tepelena mendohet se ka marrë pjesë në këtë aktivitet, duke mundësuar kultivimin e kanabisit në këtë zonë, ruajtjen e parcelave dhe deri te korrja e bimës narkotike, e cila mendohet se është përpunuar e tharë në tunelet e ish-rezervave të shtetit në Përmet.

HETIMET PËR DROGËN

Pas zbulimit të kësaj sasie të madhe hashashi në Përmet, Policia e Shtetit ka arrestuar shtetasit Rustem Muçelli, 51 vjeç dhe Eqerem Ali, 60 vjeç, të dy banues në Përmet, ndërsa është shpallur në kërkim Ismail Saliu, 61 vjeç, banues në po atë fshat.

Asnjëri nga këta shtetas nuk ka lidhje me kultivimin as me grumbullimin e drogës, por arrestimi i tyre është bërë sepse kishin përdorur magazinat ku u gjet hashashi vitet e fundit.

Sipas dëshmive që ka marrë fillimisht Prokuroria e Përmetit dhe më pas edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, dyshohet se tunelet ku u gjet kanabisi janë përdorur për magazinimin e drogës që nga dhjetori i vitit 2016 e në vazhdim, me qëllimin që bima të trafikohej më pas në Greqi.

Dëshmitë e mbledhura tregojnë se tunelet ku mbahej kanabisi ruheshin nga persona të armatosur, që nuk ishin banorë të zonës. Për këtë ngjarje, nga policia është bërë ndalimi edhe i kryeplakut të fshatit Pagri, shtetasi Koço Zaimaj, 58 vjeç, kryeplak i fshatit Pagri.

Ai akuzohet se nuk ka raportuar grumbullimin e sasisë së hashashit në magazinën ku u gjetën 11 tonë hashash. “Ka dyshime të bazuara se pikërisht këta shtetas kanë komunikime me bashkëpunëtorët e tyre dhe konkretisht, përpunuesit, magazinuesit dhe ambalazhuesit e lëndës narkotike”, thanë burimet nga hetimi.

DËSHMITË

Nga dëshmitë e banoreve të fshatit Pagri, janë ngritur dyshime se ambienti në të cilin është gjetur sasia shumë e madhe e thasëve të mbushur me lëndë narkotike është në pronësi të shtetit. Njësia Administrative Piskovë në Përmet është zotëruesja në letër e objektit, por godina e ambientit ku u gjet droga ka qenë në përdorim të banorëve të zonës.

Depoja në të cilën është gjetur bima narkotike është në posedim dhe përdoret si hambar për materiale bimore dhe kashtë nga Rustem Muçellari, Ismail Saliu dhe Eqerem Aliu.

Prokuroria ka dyshime të arsyeshme se Rustem Muçellari, Ismail Saliu dhe Eqerem Ali e kanë përdorur si depo dhe magazinë ambientin në të cilin u gjet droga, por edhe u kanë dhënë çelësat e objektit personave që kanë bërë magazinimin, përpunimin dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.

Faktin që këta dy shtetas kanë pasur dijeni e pranon dhe vetë bashkëshortja e Eqerem Aliut, duke pohuar se është e vërtetë që ajo e ka përdorur bashkë me dy bashkëfshatarë te tjerë depon, por që nga muaji janar 2017 në të ajo ka parë shumë persona të panjohur, që punonin në brendësi dhe kashtën e nxirrnin deri te dera.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com