Loading...

Lajm shumë i rëndësishëm:Bashkia jep mesazhin e fortë për banorët e Tiranës.

Temperaturat e larta dhe thatësira që ka përfshirë gjithë Europën, ka bërë që Bashkia e Tiranës të mbledhë grupin e Task-Forcës së ujit, për të diskutuar planin e masave për menaxhimin e situatës së emergjencës në kryeqytet.
Ashtu si shumë qytete të tjera në Itali, edhe Tirana po përballet këto ditë me temperaturat e larta, të cilat kanë sjellë edhe kufizime në furnizimin me ujë të pijshëm.

Për të sqaruar situatën, por edhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm të kryeqytetasve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mblodhi sot grupin e Task-Forcës për ujin, i cili po monitoron nga afër situatën, si dhe ka ndërhyrë në terren për të prerë të gjitha lidhjet e paligjshme në rrjet, që ulin sasinë e ujit për qytetarët. Kryebashkiaku Veliaj garantoi angazhim maksimal të të gjitha strukturave të Bashkisë për parandalimin e zjarreve dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.

“Sot Tirana është në gjendje emergjence dhe jemi në kontakt me qeverinë qendrore për të analizuar situatën në të gjithë prefekturën, e për të marrë më pas një vendim, nëse do të jetë nevoja, për shpalljen e gjendjes së emergjencës në të gjithë qarkun”, tha Veliaj. Ai bëri me dije se aktualisht problematika me ujin e pijshëm prek 10-15% të popullsisë së Tiranës. “Kryesisht në zonat periferike të saj, zona që janë ndërtuar pa plan, pa ujësjellës, pa kanalizime, kryesisht zona e Yzberishtit, pallatet pranë KMY-së, dhe në përgjithësi gjithë pjesa perëndimore e qytetit, ajo që njihet si Unaza e Re ose zona e Astirit”, tha Veliaj, duke sqaruar se ky problem është edhe më i ndjeshëm për shkak të distancës të madhe që ka kjo zonë nga burimet e ujit.

Duke qenë se problematikat më të mëdha të humbjes së ujit ndodhen jashtë territorit të Bashkisë së Tiranës, Veliaj kërkoi bashkëpunim edhe nga bashkitë fqinje, si ajo e Kamzës, për t’iu bashkuar aksionit dhe për të qenë vigjilent në këtë situatë. Veliaj tha se bashkia ka marrë një sërë masash për furnizimin me ujë të kryeqytetit, si dhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. “Bashkia Tiranë i është përgjigjur thirrjes së UKT-së për të angazhuar një Task-Forcë me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, për të identifikuar dhe për të ndaluar të gjitha ndërhyrjet e paligjshme, për të ndaluar subjekte apo qytetarë të papërgjegjshëm që në këto kushte ekstreme e përdorin ujin e pijshëm për vaditje apo për aktivitete të tjera private, si lavazhet”, u shpreh ai.

Qytetarët kanë në dispozicion dy numra telefoni, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm, apo të denoncojnë rastet e abuzimit të cilat dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit. Bashkia e Tiranës bën me dije se kanë nisur kontrollet për të identifikuar dhe për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme në rrjet, si dhe për të ndaluar subjekte apo qytetarë të papërgjegjshëm që përdorin ujin e pijshëm për vaditje apo për aktivitete të tjera private si lavazhe. “Duke qenë se edhe Bovilla ka rënë në një nivel historik, në nivelet ku zakonisht bie në datën 28 gusht, jo në 28 qershor, edhe prurja e ujit që vjen nga Bovilla është gjithashtu modeste, për të mos të thënë minimale. Nga statistikat e fundit që mora nga drejtori i Ujësjellësit, më rezulton se aksioni që kemi pasur sot në terren me Policinë e Shtetit për prerjen e lidhjeve të paligjshme, ka dhënë rezultatet e para. Për herë të parë kemi një rritje të nivelit të ujit falë 150 prerjeve që kemi bërë sot në mëngjes”, u shpreh ai.

Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të UKT të gjitha mjetet ujëmbajtëse të ndërmarrjeve dhe agjencive të varësisë, për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në zonat më problematike. Flotës së boteve të agjencive të Bashkisë u janë bashkuar edhe 10 mjete të ushtrisë, të cilat do të jenë në gatishmëri për t’u shërbyer qytetarëve. “Sidomos sot që kemi këtë thatësirë, na duhet që linja të funksionojë në mënyrë perfekte, të mos kemi humbje, si shumë qytetarë të papërgjegjshëm që gjetëm sot teksa lanin, vadisnin me ujë të pijshëm, apo lanin tapetet dhe makinat e tyre. Do të monitorojmë shumë nga afër aktivitetin e lavazheve dhe pishinave, do të konsiderojmë mbylljen e përkohshme të tyre nëse do të jetë e nevojshme”, tha ai.

Duke u ndalur në çështjen e parandalimit të abuzimit me ujin e pijshëm, kryetari i Bashkisë sqaroi se investimet publike si shatërvanët e sheshit “Skënderbej”, janë konceptuar për të minimizuar konsumin e ujit. Veliaj tha se ky sistem nuk ka asnjë lidhje me sistemin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës, ndërsa shprehu gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës për të asistuar të gjitha bizneset për të aplikuar teknologji të tilla, të cilat kursejnë ujin dhe në të njëjtën kohë ulin edhe kostot.

Ai komentoi edhe çështjen e zjarreve, të cilat në këtë situatë thatësire ekstreme favorizohen, sidomos në zonat pyjore që përveç dëmeve të pariparueshme, paraqesin rrezikshmëri të lartë për banorët përreth. “Ndërmarrja e Parqeve dhe stafi zjarrfikës janë në gatishmëri dhe mund të kontaktohen në çdo kohë përmes numrit të emergjencave 112 apo zjarrfikësve 128. Na duhet edhe një dorë nga qytetarët, sidomos ata që janë në zonat rurale dhe për efekt bujqësor djegin ferra apo mbetjet nga prodhimi bujqësor, që t’i shmangin këto pasi është burim i përhapjes së zjarrit. U bëj thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal në hedhjen e mbeturinave lehtësisht të ndezshme në natyrë dhe gjithashtu raportoni menjëherë nëse dyshoni për zjarrvënie të qëllimshme”, deklaroi Veliaj. Ekipet e APR-së dhe të Zjarrfikëseve kanë nisur patrullimet, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë më të fundit, siç janë kamerat termike, për të parandaluar në kohë dëmet.

Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojmë me institucionet e emergjencave për të parandaluar çdo fatkeqësi. “Do doja t’u ftoja të gjithëve që të kishim një bashkëpunim maksimal mes njëri-tjetrit, por mbi të gjitha një bashkëpunim maksimal si qytetarë, sepse besoj ajo që mund të bëjë një fqinj për një fqinj, një administrator pallati për komunitetin e tij, është të jemi të gjithë vigjilentë në këtë situatë të vështirë dhe besoj se do dalim faqebardhë. Kryesore është jeta e njerëzve, ndaj çështja e të nxehtit duhet patur parasysh, sidomos Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit që janë në patrullim konstant në territorin të Tiranës”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Bashkia e Tiranës dha edhe disa rekomandime për qytetarët për përballimin e kësaj emergjence, e cila ka përfshirë shumë prej vendeve të Europës si pasojë e temperaturave tepër të larta dhe e thatësirës së zgjatur.

Rekomandime:

1. Evitoni daljet në orët më të nxehta 11:00- 15:00;

2. Konsumoni vazhdimisht lëngje dhe vishuni me materiale të lehta;

3. Ulni grilat, perdet dhe mbyllni dritaret gjatë orëve të nxehta;

4. Mundohuni të ajrosni banesat në mbrëmje dhe në mëngjes;

5. Evitoni sa më shumë aktivitetin fizik gjatë orëve të mesditës;

6. Kontrolloni fqinjët e moshuar;

7. Tregoni kujdes për të sëmurët kronikë;

8. Ndihmoni kalimtarët e moshuar që kanë vështirësi në lëvizje;

9. Në raste emergjencash, kontaktoni 112.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com