[sgmb id=”1″]
Në 10 vitet e para, shteti nuk do marrë asnjë qindarkë nga ky koncesion, pas 10 viteve do të përfitojë 4% të fitimeve për çdo vit!
Nëse “Rilindja” e fiton “timonin” vetëm ose vazhdon aleancën me “Republikën e Re” siç duket, siç flitet e siç pritet, do ta finalizojnë koncesionin Nëse nuk e fiton dot “timonin” vetëm dhe i refuzohen aleancat, procedura e koncesionit do të mbyllet brenda datës 9 shtator 2017, siç veproi edhe ish-qeveria e PD gjatë periudhës korrik-shtator 2013, me “vulosjen” e shumë koncesioneve pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare! Ndërkohë që shqiptarët janë ngulur para ekraneve e po dëgjojnë betimet dhe premtimet e krerëve të politikës, ndërkohë që të zgjedhurit, anëtarët dhe militantët e partive kanë zbarkuar në terren për të mbledhur vota, ndërkohë që ministrat dhe drejtorët teknikë përgjojnë e largojnë nga puna ata që gjatë orarit të punës filmohen në fushatë elektorale të partive armike të pushtetit të ri PS-PD, kupola e “rilindjes” po bën edhe fushatë edhe biznes koncesionesh. Sipas informacioneve të ardhura në “Telegraf”, thuhet se po bëhet gati dhënia me koncesion e Ishullit të Sazanit.
Bashkia e Vlorës, Ministrja e Mbrojtjes dhe Ministria e Ekonomisë e Turizmit, janë bashkuar këto ditë në një lëvizje “ekonomike-turistike”, për të dhënë me koncesion edhe Sazanin. Po çfarë i ka bashkuar këto tre institucione, që komandohen nga njerëz besnikë të kreut të “rilindjes”, ideatorit largpamës të koncesioneve me Partneritet Publik Privat (PPP) që në fakt do të thotë zhvatje të fondeve e pasurive publike prej klikash të përbëra nga klientë të kupolës qeveritare?! I bashkon skenari, për ta falur edhe ishullin e Sazanit me koncesion, shoqëruar me fonde të buxhetit të shtetit, siç kanë vepruar me koncesionin e “Check-up”-it, të “Hemodializës”, të Kontrollit doganor të import-eksportit të cigare-duhaneve, të shërbimit kundër evazionit fiskal, të laboratorëve mjekësorë, të sterilizimit të pajisjeve mjekësore dhe të 40 koncesioneve të tjerë të rinj, të gjetur e të lënë në fuqi me pazare politike-financiare dhe të ricikluar me shtyrje afati sipas kërkesë-ofertave klienteliste mes kupolës së “Rilindjes” dhe koncesionerëve.
Mirëpo, koncesioni që po përgatitet për të falur edhe ishullin e Sazanit e që po inskenohet qëllimisht fshehtas e “pa zhurmë” në mirëkuptim edhe me votat e “ministrave teknikë” (pazari), thuhet se është koncesioni më i madh që jepet në 10 vitet e fundit! Për përgatitjen e skenarit shkresor të këtij koncesioni, nismën e “instruktuar” e ka marrë Bashkia e Vlorës, e cila ka të drejtë administrimi territorial mbi këtë ishull. Kjo bashki ka paraqitur kërkesë-propozim tek kryeministri, për ta kthyer në qendër turistike tokësore-detare rajonale, duke e kaluar me koncesion tek subjektet private në kuadrin e Partneritetit Publik Privat, mbasi “bashkia nuk ka fuqi ta administrojë” sipas Udhëzimit Nr. 4360, datë 28. 04. 2017, me objekt: “Për organizimin e vizitave turistike, në Ishullin e Sazanit”, të firmosur prej Ministres Milva Ekonomi! Thuhet se kryeministri ia ka kaluar në kompetencë ministres Milva Ekonomi, e cila si përherë kur bëhet fjalë për projekte, tregohet e gatshme, siç veproi edhe me koncesionin e laboratorëve, kur ishte Zv/ministre e Shëndetësisë! Referuar informacionit që na ka ardhur, ky koncesion ka nisur nga procedurat e përgatitjes si “plan-biznes” e “projekt- kontratë”, vetëm afro 1 muaj pas daljes së Udhëzimit të Ministres Milva Ekonomi, që duket se është nxjerrë qëllimisht si bazë ligjore paraprake për të justifikuar nisjen e këtij koncesioni të ri.
Konkretisht, ministrja Milva Ekonomi e ka firmosur Udhëzimin me Nr. 4360, në datën 28 Prill 2017, ndërsa puna për hartimin e koncesionit ka nisur më 25 maj 2017 ose 7 ditë pas “marrëveshjes teknike” Rama-Basha. Sipas udhëzimit “Milva”, ka edhe një Marrëveshje Bashkëpunimi po “ilegale” me Nr. 2751, datë 05. 04. 2017, lidhur mes Ministrisë së Ekonomisë e Turizmit, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, si ministri të linjës së Sigurisë Kombëtare! Po sa do të jetë afati i këtij koncesioni? Sa do të jetë, vlera që do paguajë shteti tek privati, nga taksat e shqiptarëve?
Cilët do të jenë, përfituesit e këtij koncesioni? Sa për qind të të ardhurave prej biznesit të koncesionit, do të përfitojë shteti shqiptar? A do të bëhet publike kontrata koncesionare? Kur do të konkretizohet? Në informacion thuhet se kontrata koncesionare e Ishullit të Sazanit do të jetë me afat 30-vjeçar! Do jetë me vlerë 450 milionë euro taksa publike, të cilat shteti shqiptar do t’ia japë koncesionarit si detyrim për investimet. Koncesionar kryesor i Ishullit të Sazanit, thuhet se do të jetë një Këshilltar i huaj i “krye-rilindësit, i cili ka vizituar disa herë me avion privat në vilat qeveritare të Vlorës dhe bashkë me të, sipas planit të ndarjes së “thelave” të përqindjes, aksionar do të jetë edhe një Këshilltar tjetër i tij, që jeton jashtë Shqipërisë. Projekti financiar parashikon që në 10 vitet e para pas nisjes së aktivitetit, shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë qindarkë nga ky koncesion, ndërsa pas 10 viteve do të përfitojë 4% të fitimeve për çdo vit aktivitet! Po kështu, aksionare mendohet të jetë një biznesmene koncesionesh dhe 2 ministra të besuar të “krye-rilindësit”, të akuzuar për afera korruptive me financat publike, koncesionet dhe tenderët në shërbimet e punët publike.
Thuhet, se finalizmi i këtij koncesioni varet nga rezultati i zgjedhjeve. Nëse “Rilindja” e fiton “timonin” vetëm ose vazhdon aleancën me “Republikën e re” siç duket, siç flitet e siç pritet, do ta finalizojnë koncesionin pas shtatorit 2017. Por, nëse nuk e fiton dot “timonin” vetëm dhe i refuzohen aleancat, procedura e koncesionit do të mbyllet brenda datës 9 shtator 2017, siç veproi edhe ish-qeveria e PD gjatë periudhës korrik-shtator 2013, me “vulosjen” e shumë koncesioneve pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare!