[sgmb id=”1″]
Kapiten Besnik Tusha drejton gjithë Cobran shqiptare që ka ardhur nga Shqipëria në Cincu të Rumanisë për 5 ditë, me një ndalesë në Greqi e një në Bullgari, për mjetet dhe ushtarët.
A e morët vesh se Shqipëria fitoi ndeshjen dje me Izraelin me të njëjtin rezultat që ata na rrahën në “Elbasan Arena” apo jo?
Sa i thua informacionin më të fundit që nuk kanë dijeni, të gjithë brohorasin me gëzim. Djemtë e kombëtares kanë fituar atje, siç po fitojnë këta betejat e tyre në fushën e ushtrimeve të NATO-s përballë superfuqive si SHBA e UK, apo Polonia, Spanja, e shumë vende të tjera që për nga shpenzimet e tarafi, duket se kanë më shumë para në dispozicion se Cobra jonë.
Nuk kanë se nga ta dinë që Shqipëria fitoi tre me zero me Izraelin dhe u tregoj se dy gola i bëri Sadiku e një Memushaj. Nuk kanë informacion as për situatën politike në vend dhe nxehjen e fushatës zgjedhore. Aksesi në ëifi është shumë i pakët në bazën stërvitore në Cincu; rregullat janë të rrepta dhe duhen zbatuar rigorozisht; telefonatat më së shumti bëhen vetëm për familjarët e të afërmit.
Kapiten Besnik Tusha tregon se djemtë dhe vajzat e skuadrës shqiptare kanë marrë pjesë dhe janë të stërvitura edhe për prova dhe ushtrime më të vështira se kaq. Në fund të fundit, ajo që ndodhi sot ishte një demonstrim në kuadër të stërvitjes Noble Jump 2017 që do të zhvillohet të mërkurën.
Jemi duke zbatuar pikë për pikë detyrat. Nuk është hera e parë dhe kemi pasur misione të suksesshme kudo që kemi shkuar, thotë Besnik Tusha.
Zv.toger Hekuran Budani thotë se pikërisht Cobra ka pasur 6 misione të mëdha ndërkombëtare dhe është e specializuar për operimin edhe në kuadër të misioneve të tjera. Psh, këtë radhë, Cobra shqiptare varet drejtpërdrejt nga komanda angleze, por për 148 ushtarët shqiptarë, kjo nuk përbën ndonjë problem.
Nuk duhet të flasim për kushtet. Ushtarët shqiptarë, të gjithë e dinë se nuk kanë të njëjtin standart pagese me standartin e NATO.
Nuk e kemi menduar kurrë këtë dhe në këtë mënyrë, thotë Kapiteni Besnik Tusha. Ne në fund të fundit, kur qëndrojmë këtu në fushë, duam që të jemi krenar për këtë flamur që përfaqësojmë tek uniformat e makinat tona. Ja sa mirë na treguat sesi fituam me Izraelin??? Dmth, në shumë fusha, kemi me cfarë të krenohemi.
Dhe është e tepërt të flasësh sesi do të kalojnë deri në 28 qershor djemtë dhe vajzat e COBRA në Cincu të Rumanisë. Eksperienca dhe provat që bëjnë u shërbejnë për të qenë super të trajnuar.
Përshembull, ata sduan as ta kujtojnë incidentin që u ndodhi makinave të tyre në Greqi. Ishin në fakt trupa të NATO-s, por më shumë se aq, ishin trupa ushtarësh shqiptarë.
Asgjë me rëndësi dhe asgjë që nuk ka kaluar tashmë, thotë kapiten Besnik Tusha që nuk do ta konsiderojë as si incident një gjë të tillë.
Pastaj hyjmë në disa detaje dhe drejtuesit e Cobra të tregojnë me krenari se në grupin e tyre ndodhen edhe tre ushtarake shqiptare; një radiste, një doktoreshë dhe një ushtarake.
“Përshëndetje, jam nëntogere Larisa Shalaj. Eshtë hera e parë për mua që gjendem në një mision të tillë. Një eksperiencë që s’mund dhe s’dua ta harroj edhe pse jam e sigurt se do të ketë të tjera”, thotë Larisa, vajza moderne shqiptare, që në qafë mban stetoskopin e flokët në një anë i ka më të gjatë e në një anë më të shkurtër. Fiks moderne….
Ajo është shumë e gjatë dhe e buzeqeshur gjithë kohën. “Eh”, mendoj unë dhe ia them me gojë. Në stërvitje si kjo, nuk është njëlloj si në luftë.
Doktoresha ka kryer studimet në Turqi për mjekësi dhe menjëherë është kthyer në vend. Pas kësaj, edhe me stërvitjen dhe programet për të qenë pjesë e ushtrisë shqiptare, që Larisa thotë se i ka pasur gjithmonë pasion.
Me më pak fjalë më prezantohet kapterre Sadete Popshini, një ushtarake me eksperiencë në qendrim e në vështrim. Buzëqesh, por pak më e ngurtë. Sadetja më tregon se është i pesti mision ndërkombëtar dhe eprorët e saj thonë se janë të kënaqur me sjelljen dhe reagimin. Por edhe eksperiencën. Më parë ka qenë edhe në Letoni, Poloni e Gjermani.
Më shumë do t’i shohim të mërkurën, kur në stërvitjen gjenerale COBRA shqiptare në kuadër të forcave të NATO-s do të japë më të mirën jo vetëm për dislokimin, e zhvendosjen nga vendi i supozuar i luftës, por edhe për dyluftimin në terren.
Sepse 148 COBRA-t shqiptare, edhe pse të pakta në numër në një ushtrim një mujor me përfaqësuesit e 11 vendeve anëtare të NATO-s në kuadër të “Noble Jump 2017” ku marrin pjesë mbi 5000 ushtarë, tregojnë më të mirën e vetes, dhe Shqipërisë.