[sgmb id=”1″]
Zbulohen të tjera detaje nga ekzekutimi i tropojanit në banesën e tij në Vlorë, në sy të gruas.
Aktualisht e shoqja e tij ndodhet në Tropojë, ku edhe është kryer rituali për përcjelljen për në banesën e fundit të 40-vjeçarit një ditë më parë në vendin e lindjes së tij.
Nga dëshmitë e saj, pritet të mësohet më shumë rreth ngjarjes, por pse jo edhe të identifikohet autori i dytë i atentatit ndaj 40-vjeçarit.
Ndërkohë, të afërmit kanë zbuluar detaje të tjera mbi krimin e ndodhur të hënën në mbrëmje, nga ku mësohet se Sinani është qëlluar me katër plumba, nga të cilat një plumb e ka marrë në kokë, dy në kraharor dhe një tjetër në këmbë. Nga hetimet e kryera nga policia, mësohet se Fatjon Sinani ndodhej në brendësi të banesës së tij, ndërsa dera ishte gjysmë e hapur.
40-vjeçari ndodhej në shtëpi së bashku me bashkëshorten. Madje, në momentin kur është goditur me pistoletë, mësohet se Sinani ka qenë duke konsumuar darkën, ndërsa autori ka qenë i maskuar në momentin kur ka hyrë në banesë dhe ka goditur në drejtim të 40- vjeçarit.
Sipas dëshmive dhe informacioneve të siguruara, autori është ndjekur deri në afërsi të daljes së pallatit ku banonte Sinani, nga gruaja e tij, ndërsa kjo e fundit më pas, edhe si pasojë e ngjarjes së rëndë, ka humbur ndjenjat.
40-vjeçari Sinani jetonte bashkë me bashkëshorten e tij në qytetin e Vlorës. Sinani ishte larguar prej 5 vitesh nga vendlindja e tij dhe ishte vendosur në një apartament me qira në lagjen “Pavarësia” të qytetit bregdetar.