[sgmb id=”1″]
Më mirë të mos i kishte thënë ato fjalë presidenti Duka, por edhe nuk duhet të nxitohesh, ngaqë ai është një mjeshtër për të ngacmuar nervat e popullit të mbijetuar të futbollit, ndoshta kjo e bën edhe më të lumtur. “Nuk kam pasur besim te trajneri? De Biazit i dhamë dashurinë e jetës, Kombëtaren…”.
Një përgjigje tepër romantike për disa akuza që nuk i kishim dëgjuar më parë nga goja e Xhanit si “ndokujt i prisha festën e shkarkimit me fitoren në Izrael”, apo tjetra “kjo ndeshje ishte si një kockë që të mbetet në grykë”. Sikur këto fjalë t’i kishte thënë një trajner tjetër, në një përfaqësuese larg tokës sonë, do të kishte merituar shkarkimin për alibinë e rrezikshme ndaj titullarit, por shef Mando zbythet në këto momente… sepse memecit i erdhi goja. Tamam, mu në Tokën e Shenjtë.
Na kishin treguar historitë e vjetra për mrekullitë që ndodhin në Izrael, por kjo e fundit është tepër e bekuar për shqiptarët. Tre gola në fushë, që nuk besonim se mund të vinin as nga qielli e as nga toka, po shndërrohen në një fitil për finalen e hipokrizisë midis italianit orator dhe shqiptarit prepotent.
Të atij që flet për dashurinë e vetme të jetës, së cilës ia ka dredhur për shtatë palë qejfe në këto 16 vite, pa na dhënë shansin të dëgjonim, sikur njëherë të vetme, se… ishte hera e fundit, ju betohem nuk e bëj më! Në këto 16 vite, kemi parë dhe përgjuar se “dashurinë e vetme”, Kombëtaren, ua kemi besuar vetëm të huajve dhe qejfi më i madh ishte, kur mezi prisnim fundin e filmit, atë çast kur trajneri vritej nga dora e vetme e pabesë, nga ajo që çuditërisht është paralizuar me De Biazin.
Ky italian, që dukej peshë e lehtë në fillim, mbetet i vetmi që nuk i dha kënaqësinë “Makbethit të topit” për të kryer ritualin e shumëpritur nga oborri. Kjo edhe për meritën tonë, ngaqë nxituam ta bënim Xhanin sa më shumë shqiptar, aq më pak italian. Ndaj edhe Zotat kanë besim se Xhani, ai shqiptari, nuk do t’i thotë të gjitha ato që populli kuqezi mezi pret t’i mësojë, pikërisht nga goja e tij.
Sikur të fillonim rrëfimin nga fundi dhe jo qysh nga fillimi, si u gatua humbja në Luksemburg, ku presidenti nuk ishte në stadium ngaqë e dinte se çfarë do të ndodhte me “dashurinë e vetme të jetës”, dhe tjetra, tepër ngacmuese, pse nuk tregohen publikisht disa fjalë të rënda trajnerit para ndeshjes me Izraelin, prej të cilave shpë- toje vetëm me një ndeshje të fituar…