[sgmb id=”1″]
Qëllimi i tij ishte për të vizituar kushëririn që po vuan dënimin me heqje lirie në Burgun e Fierit dhe i riu nuk e priste se edhe ai vetë do të përfundonte në burg. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, kur 28-vjeçari Mehmet Dylgjeri u arrestua në flagrancë. Kjo pasi i riu ka tentuar të hyjë me lëndë narkotike në ambientet e burgut.
Siç njofton policia, nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mehmet Dylgjeri nga Elbasani. Blutë saktësojnë se arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit në hyrje të takimeve me personat që vuajnë dënimin në IEVP Fier, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4.65 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kanabis sativa.
Gjatë marrjes në pyetje ai ka thënë se sasinë e dyshuar si lëndë narkotike, që iu gjet në xhep, e kishte për përdorim personal dhe se nuk kishte lidhje me akuzën që po i bëhej. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionet e ekzekutimeve të vendimeve me burgim”.