[sgmb id=”1″]
Tre mjekët e spitalit privat që asistuan në operacionin e 15-vjeçares, Blerta Pepa, e cila humbi jetën mbrëmjen e së hënës, do të ndiqen penalisht.
Policia e Tiranës ka bërë të ditur se ka nisur procedim penal për mjekim të pakujdesshëm për doktorët Tefik Zhurda, Jovan Kosta dhe Moeibus Ulf.
Gjimnazistja e “A.Z.Çajupit” ndërroi jetë gjatë operacionit që po kryente në gju në spitalin “Continental”. Deri më tani është bërë e ditur se vajza humbi jetën pas injektimit të anestezisë, por nuk janë përcaktuar ende shkaqet që shkaktuan vdekjen e saj.
Anestezisti është mjeku Tefik Zhurda, i cili tentoi të vetëvritej pas vdekjes së pacientes. Ai ndodhet në spital në gjendje të rëndë.
Çfarë ndodhi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku një paciente e mitur ka humbur jetën gjatë operacionit, në një spital privat.
Sipas policisë të hënën, rreth orës 01:00, në një spital privat, gjatë operacionit ka gjetur vdekur 15-vjeçarja me inicialet B. P.
Mjeku anestezist me inicialet T.Zh., 53 vjeç, banues në Tiranë, ka tentuar të kryeje vetëvrasje, duke injektuar në trup preparat lëndë anestezie.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se të ketë qenë doza e anestezisë shkak për komplikacionet që pasuan operacionin.
Do të jenë hetimet ato që do të hedhin më shumë dritë mbi ngjarjen, dhe shkakun e vërtetë të vdekjes së 15-vjeçares.