Loading...

Udhëtim në histori, gjurmë shqiptare në Venecia!

[sgmb id=”1″]

Ky udhëtim në historinë e shqiptarëve që migruan mbas vdekjes së Skënderbeut në Venedik për t’iu mos nënshtruar pushtuesit Otoman, përkoi më 6 majin datëlindjen e heroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Në 6-7 maj 2017 grupi i shqiptarëve të Kroacisë nën organizimin e Këshillit të pakicës kombëtare të qytetit të Zagrebit, u nis për Venecia në udhëtimin studimor me temë “Gjurmë shqiptare në Venecia” . Grupi përbehej nga deputetja shqiptare në Parlamentin Kroat, Ermina Lekaj Perlaskaj, përfaqësues të Këshillit shqiptar të Zagrebit, luftëtar shqiptar të luftës atdhetare të Kroacisë, përfaqësues të shoqatave shqiptare të Kroacisë: SHGZ “Drita”, KFSH “Mbretëresha Teuta”, SHTSH “Mërgimtari”, SH “Hasi”, BSH e Pullës, BSH e Prefekturës së Zagrebit, Këshilli i Mësuesve Shqiptarë të Kroacisë, mësues, intelektualë, të rinj shqiptarë, përfaqësues të pakicave italiane, polake, boshnjake, bullgare të Zagrebit, të shoqëruar edhe nga ekipi i televizionit kroat HRT. 

Ky udhëtim në historinë e shqiptarëve që migruan mbas vdekjes së Skënderbeut në Venedik për t’iu mos nënshtruar pushtuesit Otoman, përkoi më 6 majin ditëlindjen e heroit tonë Gjergj Kastriot Skënderbeu.

“Gjurmën e parë shqiptare e pamë gjatë vizitës në Chiesa San Sebastian – në Kishën e Shën Sebastianit ku ndodhej afresku që studiuesit e artit në Itali më parë kanë menduar se kjo i ishte përkushtuar ushtarit me emrin Sebastian që kishte luftuar kundër Dioklezianit në mbrojtje të besimit fetar. Qysh gjatë kohës së restaurimit, falë prof. Lucia Nadin u zbulua se bëhej fjalë për heroin tone kombëtar Skënderbeu, vepër e Veronezit (Paolo Caliari Veronese), në pikturë shihej flamuri shqiptar, heroi ynë legjendar, në këtë kishë madje ka shërbyer si prift djali një gruaje shkodrane”, ka treguar Melita Oreskovic, veprimtare dhe punonjëse e Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të Zagrebit.

“Shumë emocionues ishte takimi me studiuesen veneciane, docenten e albanologen, miken e shqiptarëve LuciaNardin e cila përreth një orë tregoi për zbulimet e saj në lidhje me gjurmët shqiptare në Venecia, për integrimin e shqiptarëve që erdhën mbas rrethimit të Shkodrës 1474 e që vazhduan zanatet e tyre si përpunues të leshit, mëndafshit, drurit, hekurit , qelqit, skulptorë, madje shumë priftërinj që punuan në kishat periferike si Marin Barleti”, tregon tutje Melita rreth emocioneve të përjetuara.

Shqiptarët ngritën një qendër si shoqatë ndihme dhe asistencë në mes të Venecias, afër Kishës së Shën Mauricios-Chiesa San Mauricio, ku mbanin ritin fetar të lamtumirës familjare, në këtë kishë gjendet dhe portreti i Zonjës së Shkodrës. Prof. Nadin ju ka folur edhe për statutin e Shkodrës si simbol i lirisë dhe civilizimit që gëzonim shqiptarët para pushtimit otoman. Ajo e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm këtë statut që nis me fjalën “Liri”, për emancipimin e femrës, që rrallë mund ta gjesh në shumë popuj të tjerë, përsa i përket periudhës së gjysmës së parë të shek XIV- thesar ky statuj që tregon civilizim në një kohë të hershme.

“Profesoresha Nardin na shoqëroi më pas në “Scuola degli albanesi“ – Shkolla e shqiptarëve, që faktikisht ka qenë ndërtesa e një shoqate shqiptare e ndërtuar në vitin 1532, ku mësonin gjuhën dhe kulturën shqiptare fëmijët dhe sot ekziston fasada e kësaj shkolle, si gjurme e mbetur. Më pas profesoresha Nardin na tregoi rrugicat e Venecias me emrat “CalledeiAlbanesi”, emërtime që janë vënë për nder të shqiptarëve që kanë jetuar në shekujt XIV- XVI në ato vende”, tregon në vazhdim Melita.

Të tjera gjurmë shqiptare të zbuluara nga profesoresha Nardin, e cila është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë me “Urdhërin e Skënderbeut” janë: Në Palazzo Ducale, Sala del Maggior Consiglio, soffito-Pallati Dukal, Salla e Konsilit Kryesor, në tavan është piktura e Veronezit me titull “Difesa di Scutari” shihet qartë Doge Loredan duke shpëtuar nga duart e otomaneve një grua shkodrane gjatë shtetrrethimit të Shkodrës. Fasada e një ndërtese në Venecia që ka qenë e destinuar nga shteti i Venecias si rezidencë për heroin tone kombëtar Skënderbeun si mirënjohje për luftën që kishte bërë populli shqiptar kundër pushtuesve osmanë.

Udhëtimi i shqiptarëve të Kroacisë në historinë shqiptare të Venecias u koordinua e u realizua me përkujdesin e mësueses, veprimtares dhe punonjëses së Këshillit të pakicës kombëtare shqiptare të Zagrebit Melita Oreshkoviq.

Kontribut të veçantë për organizimin e takimit me profesoreshën Lucia Nardin ka dhënë edhe veprimtarja e dalluar, mësuesja Erida Çela Perlala me shoqatën e saj “Acqua-sport “ nga Montegrotto,Terme e Padovas bashkë me mërgimtarë tjerë nga Padova, Portogruaro, Lecco, Milano e qytete tjera të Italisë.Profesoreshës Lucia Nardin dhe Erida Çela nga organizatorët iu ndanë mirënjohje e libri i prof. Aleksandar Stipčević “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës”. Të gjithë pjesëmarrësit në takim i përshëndeti mësuesja Ermira Kadia Parruca me këngën “Moj e bukura Arbëri” e shoqëruar nga kori i madh i të pranishmëve. Sa bukur u dëgjua kënga shqipe e kënduar nga shqiptarët e Italisë dhe Kroacisë në sheshin e Campo Santo Stefanos në Venecia, sheshin ku mblidheshin para 500 vitesh shqiptarët.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com