[sgmb id=”1″]
Konflikti i vjetër mes dy familjeve, për shkak të konkurrencës së një dyqani që shiste byrekë, përfundoi me vrasje në qytetin e Elbasanit dy ditë më parë.
Viktimë mbeti 38-vjeçari Renald Pulaku, baba i dy fëmijëve. Ai u qëllua me thikë mbrëmjen e së premtes nga bashkëmoshatari i tij, Edvin Gjini. Sipas të dhënave të Policisë, ngjarja ndodhi në orët e vona tek “Kryqëzimi i Lazarenëve”, ku 38-vjeçari Edvin Gjini ka goditur tri herë më thikë bashkëmoshatarin e tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia bën me dije se Renald Pulaku menjëherë pas ngjarjes është transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë, por që mëngjesin e së shtunës ai ka gjetur vdekjen, pasi plagët e marra nga thika kanë qenë vdekjeprurëse.
Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur për Panorama se autori i krimit rezulton person, i cili konsumon lëndë narkotike. Dyshohet se ai e ka pritur viktimën Renald Pulaku dhe shumë pranë rrugicës ku edhe banonte ai, menjëherë, pa i folur asnjë fjalë, e ka goditur fillimisht dy herë me thikë në mushkëri.
Pasi Pulaku ka rënë në tokë, ai ia ka kaluar thikën në fyt, duke e lënë të shtrirë dhe më pas është larguar. Pas kësaj i plagosuri është parë nga persona të rastit, të cilët menjëherë kanë lajmëruar ambulancën që ka bërë edhe transportimin e tij për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia konfirmon faktin se shkak i vrasjes së babait të dy fëmijëve është një sherr i vjetër, mes dy familjeve, Gjini dhe Pulaku. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, nëna e viktimës ka një dyqan ku tregton byrekë në lagjen e saj.
Ngjitur me të, para disa vitesh ka tentuar që të hapë një dyqan edhe nëna e autorit. Por mes dy familjeve ka nisur një sherr i gjatë, i cili ka përfshirë edhe fëmijët. Familja Pulaku nuk e ka lejuar familjen Gjini që të hapë të njëjtin dyqan ngjitur me ta për shkak të konkurrencës dhe që aso kohe gjithnjë përballja mes dy fëmijëve, autorit dhe viktimës ka qenë me debate dhe me sharje mes njëri- tjetrit.
Mësohet se edhe pak ditë më parë ata kanë debatuar dhe janë sharë me njëri-tjetrin, derisa të premten në mbrëmje Edvin Gjini dyshohet se e ka pritur viktimën, i cili ka dalë nga banesa e tij dhe e ka goditur tri herë me thikë, duke i marrë edhe jetën.
Pasi ka kryer krimin, 38-vjeçari është larguar me vrap në rrugicat e lagjes që njihet në qytet si “Pusi që lahet vetë” dhe ka dalë në zonën që quhet “Kryqëzimi i Lazarenëve”. Prej andej ai ka hyrë në një shkallë pallati dhe ka qëndruar i fshehur atje për më shumë se dy orë, por më pas ai është kapur nga policia. Kjo e fundit bën me dije se ai nuk ka bërë rezistencë dhe pas arrestimit ka pranuar autorësinë e krimit.