[sgmb id=”1″]
Fier
Policia e Fierit finalizon me sukses operacionin antidrogë të koduar “KURTAJ”.
Sekuestrohen 86 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 1 armë zjarri automatik, 1 makinë dhe 1 motoçikletë.
Arrestohen në flagrancë dy vëllezër.
Në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative dhe punës së mirëorganizuar nga ana e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “KURTAJ”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Altin Shyti 36 vjeç.
Teli Shyti 26 vjeç, të dy banues në fshatin Ngjeqar, Roskovec.
Arrestimi i tyre u bë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesë u gjetën 86 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa e ndarë në dy fuçi plastike dhe në 5 thasë plastmasi me vakum.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua edhe 1 armë zjarri automatike, mjeti tip “Toyota” si edhe 1 motorçikletë e cila nga verifikimet paraprake, dyshohet se është e trafikuar në Shqipëri.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se lënda narkotike që u gjet në qeset e vakumit, ishte e përgatitur me qëllim trafikimin e saj jashtë vendit, me destinacion Italinë.
Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të shtetasve A. Sh dhe T. Sh., për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” parashikuar nga Nenet 283, 283/a, 141/a dhe 278/2 të Kodit Penal.