[sgmb id=”1″]
Sa vota shkon një mandat deputeti në të gjitha qarqet e vendit, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e vitit 2009, vitit 2013 dhe atë të zgjedhjeve lokale në vitin 2015?
Në 2 qarqe të vendit ka diferenca të mëdha mbi vlerën e një mandati. Në Vlorë një mandat vlen 10.200 vota, në Kukës një mandat vlen rreth 16.000 vota. Në vitin 2009 pjesëmarrja në votim ka qenë 1.558.347 zgjedhës. Në vitin 2013 kanë votuar 1.724.779 zgjedhës, në vitin 2015 kanë votuar 1.562.161.
Diferenca e pjesëmarrjes në votim nga viti 2015, në vitin 2013 ka një ulje prej 162.618 votues më pak, afërsisht rreth 10% më e ulët. Në vitin 2009 pjesëmarrja, në rang vendi ka një diferencë me zgjedhjet lokale 2015, me vetëm 4.000 vota. Duhet pasur parasysh se në vitin 2013 pjesëmarrja ka qenë më e lartë edhe për shkak të faktit se njëra forcë poltike qeveriste vendin prej 8 vitesh dhe fryma në krahun opozitar bëri që pjesëmarrja të rritej më tepër.
Duke përdorur si të dhënë rezultatin e 2013, po rendisim më poshtë të gjitha qarqet.
Qarku Berat
Kanë votuar 92.822 zgjedhës, ky qark ka 7 mandate deputetësh dhe një i tillë kërkon 13.260 vota.
Qarku Dibër
Në Dibër mandati i deputetit vlen 12.667 vota dhe në Dibër kanë votuar 76.000 zgjedhës për 6 përfaqësues në parlament.
Qarku Durrës
Durrësi një nga qarqet më të mëdha në vend çon në parlament rreth 10% të totalit të deputetëve në rang vendi, pra 14 mandate deputetësh. Në Durrës kanë votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, 157.081 zgjedhës, ky qark një deputet e zgjedh me 11.220 vota.
Qarku Elbasan
Kanë votuar 175.845 zgjedhës dhe një mandat vlen 12.560 vota, duke pasur parasysh se Elbasani ka 14 deputetë.
Qarku Fier
Qarku i Fierit është një nga më të rëndësishmit në vend për shkak të numrit të madh të zgjedhësve, por edhe të përfaqësuesve që ai zgjedh për në parlament. Kanë votuar 205.301 zgjedhës, pjesëtuar me 16 mandate që ka ky qark, një mandat vlen 12.831 vota.
Qarku Gjirokastër
Ka 5 deputetë, në këtë qark kanë votuar 60210 zgjedhës dhe një mandat shkon 12.000 vota.
Qarku Korçë
Korça tashmë do të ketë 11 përfaqësues në parlamentin e ardhshëm dhe një mandat deputeti shkon 13.287 vota, duke pasur parasysh se në vitin 2013 kanë votuar 146.159 zgjedhës.
Qarku Kukës
Këtu kemi 3 mandate deputetësh kanë votuar 47.438 zgjedhës dhe një mandat shkon 15.813 vota, theksojmë se Kukësi është një nga qarqet ku mandati i deputetit vlen më shumë vota se në çdo qark tjetër të vendit.
Qarku Lezhë
Në Lezhë kanë votuar 81.769 zgjedhës dhe një mandat deputeti shkon 11.681 vota, duke ditur që Lezha ka 7 përfaqësues në parlamentin e Shqipërisë.
Qarku Shkodër
Shkodra ka 11 përfaqësues në palrlament dhe në vitin 2013 kanë 123.715 zgjedhës, një mnadat deputeti në qarkun e Shkodrës shkon 11.247 vota.
Qarku Tiranë
Tirana është qarku më i madh në vend me listë zgjedhësish 785.086 dhe votuan në zgjedhjet e fundit parlamentare 457.653 zgjedhës.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2015 në Tiranë kanë votuar rreth 411.000 zgjedhës, janë 46.000 votues më pak se në vitin 2013.
Me pjesëmarrjen e vitit 2013, duke pasur 34 përfaqësues në parlament, 1 mandat deputeti në qarkun t e Tiranës vlen 13.460 vota. Me pjesëmarrjen e vitit 2015, një mandat deputeti vlen 12.089 vota.
Qarku Vlorë
Kanë votuar 122.161 zgjedhës, pjesëtuar me 12 mandate, në këtë qark, një deputet vlen 10.180 vota. Vlora është qarku me numrin më të ulët të zgjedhësve për një mandat deputeti.
Kjo është harta elektorale e të gjithë Shqipërisë që tregon sa vlen një mandat deputeti, ku siç theksuam më lart, qarku që mandat deputeti vlen më pak vota është Vlora, ndërsa qarku që kërkon më shumë vota për një mandat deputeti është Kukësi.