[sgmb id=”1″]
Pylli i Zvërnecit, Monument Natyre, ndodhet në afërsi të fshatit me të njëjtin emër, në pjesën veriore në distancë 1.5 km dhe lartësinë 10-31 m mbi nivelin e detit. Sipërfaqja e pyllit është 7 ha.
Karakteristike për këtë pyll është mbulesa bimore mjaft e dendur duke arritur deri në 90-100 % të sipërfaqes së përgjithshme të ishullit.
Dominon Selvia (Cupressus sempervirens) në shoqërim me Quercus ilex, Quercus pubescens dhe Pinus spp.
Lartësia e selvisë është 17 m, me diametër mesatar 22-26 cm dhe moshë 90- vjeçare. Kati i shkurretave përbëhet nga lloje si Myrtus communis, Pistacia lentiscus, Laurus nobilis, Rubus spp., Phillyrea angustifolia, Olea olaster, etj.
Kati barishtor është i rrallë dhe me pak lloje si Chrysopogon gryllus, Asparagus acutifolius, Dactylis glomerata, Desmazieria rigida etj.
Ky monument natyre ka vlera shkencore, biologjike dhe ekologjike, kulturore, didaktike dhe turistike. Ndër të tjera përbën një habitat të rëndësishme për lakuriqët e natës si: Rhinolophus ferrumequinum dhe Rhinolophus hipposideros.
Vizitohet sipas itinerarit Vlorë- Zvërnec-Ishulli i Zvërnecit. Në ishullin e Zvërnecit, pranë monumentit të natyrës, ndodhet edhe Kisha e Shën Mërisë Zvërnec, ndërtuar në shek.XII dhe me vlera të kulturës bizantine.
Brenda në kishë ruhen ende fragmente të pikturave murale që i përkasin shek.XVII-XVIII. Çdo datë 15 gusht, “Ditën e Fjetjes së Shën Mërisë”, në ishull organizohet pelegrinazh.
Ky ishull i vogël është kthyer në një destinacion për turistët e natyrës dhe të kulturës që në stinën e verës janë të shumtë.