Loading...

Historia e pergjakur e Dites se Punetoreve dhe 1 Maji i Shqiptareve!

[sgmb id=”1″]

Sot është “1 Maji” i cili njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve. Që nga koha që “1 Maji” është shpallur si dita botërore e punëtorëve, ajo përkujtohet me protesta dhe manifestime duke kërkuar më shumë kushte dhe të drejta. Në Shqipëri, kjo ditë është festë zyrtare. Gjatë periudhës së komunizmit ajo kujtohej me parada, ekskursione etj. Në atë kohë “klasa punëtore ishte në fuqi” dhe sipas udhëheqjes së diktaturës, nuk kishte arsye të protestonte por vetëm të festonte. Por çudia më e madhe është se 1 Maji edhe pas kalimit të vendit në sistemin kapitalist në fillim të viteve 90-të, në Shqipëri vazhdon të konsiderohet si një ditë dëfrimi.

Ndryshe nga gjithë vendet e botës ku punëtorët nëpërmjet sindikatave e shfrytëzojnë ditën e tyre, për të protestuar dhe kërkuar më shumë kushte e paga për veten, në Shqipëri kjo gjë nuk ndodh. Madje kryeministri i vendit Edi Rama gjatë një takimi me biznesmenë italianë arriti deri aty, sa që ti ftonte të investonin në Shqipëri, sepse (u mburr ai) jemi i vetmi vend në botë që nuk kemi sindikata!!

Kjo ditë u inaugurua si e tillë nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës, por “çuditërisht” në Shqipëri vendi ku pikërisht më së shumti nuk ka vende pune, ku pagesat janë më të ulëtat në Europë dhe shumica e punëtorëve nuk janë të siguruar, `1 Maji` quhet “festë”. Shqipëria mund të konsiderohet si vendi më absurd në botë veçanërisht për “1 Majin”. E ka festë zyrtare ditën e punëtorëve, por nuk ka sindikata që ti mbrojnë ata. Në botë protestojnë për paga më të larta, më pak ditë punë në javë, kurse në Shqipëri nuk ngrihen as për mungesën totale të vendeve të punës. Në të gjitha qytet e Europës dhe në SHBA ku paga minimale mujore e një punëtori është gati sa ajo që një homolog shqiptar merr në gjysmën e vitit, qindra mijëra e shfrytëzojnë këtë ditë për të mbushur rrugët dhe sheshet në protesta që nuk ngjajnë aspak me festat, por ndodh që edhe e ndezin flakë. Në Shqipëri ku punëtorët janë më të pambrojturit dhe të shfrytëzuarit deri në skllavëri, për “1 Majin” vishen bukur dhe dalin xhiro nga parku apo liqeni artificial në Tiranë.

Festa e 1 Majit, apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve lindi nga lufta botërore e punëtorëve për të afirmuar të drejtat e tyre e për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe vetëm si e tillë e ka kuptimin. Kremtimi i saj lidhet ngushtë me protestën e punëtorëve të Çikagos në vitin 1886 e cila përfundoi me gjak,

Por historia e ditës së punëtorëve fillon më herët se sa ai vit; “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”, ishte parulla e hedhur për herë të parë në Australi më 1855-n e pastaj e përqafuar nga krejt lëvizja sindikaliste botërore. U hap kështu rruga për protesta të përgjithshme dhe u kërkua një ditë, pikërisht 1 maji, në të cilën të gjithë punëtorët të ushtronin presion për të drejtat e tyre dhe jot ë festonin siç ndodh në Shqipërinë absurde.

Nga Kongresi i Internacionales së parë në Gjenevë, ku ishin mbledhur kryesisht socialistë dhe anarkistë, doli propozimi për ditën ligjore të punës prej 8 orësh, por ata që luftuan më tepër për realizimin e kësaj aspirate kanë qenë padyshim organizatat e punëtorëve amerikanë. Në vitin 1866, shteti i Ilinoisit miratoi një ligj ku përcaktohej dita e punës prej 8 orësh, por kishte kaq kufizime, saqë ishte praktikisht i pazbatueshëm. Hyrja në fuqi e këtij ligji ishte caktuar për 1 Majin e vitit 1867, e pikërisht atë ditë, në Çikago u organizua një manifestim i madh.

Rreth 10 mijë punëtorë morën pjesë në kortezhin më të madh të parë ndonjëherë nëpër rrugët e qyteteve amerikane. Në tetorin e vitit 1884 Federata e Sindikatave të organizuara dhe e Bashkimit të Punëtorëve caktoi 1 Majin e 1886-ës si datë kufi, përtej së cilës punëtorët amerikanë do të refuzonin të punonin më shumë se tetë orë në ditë. 1 Maji i vitit 1886 ra ditë e shtunë, atëherë ditë pune, por në 12 mijë fabrika të SHBA-ve, rreth 400 mijë punëtorë bënë grevë. Vetëm në Çikago numri arriti 80 mijë vetë. Fillimisht manifestimet u zhvilluan paqësisht, por të hënën policia hapi zjarr, duke shkaktuar katër viktima. Një protestë tjetër e punëtorëve u lajmërua për të nesërmen, 4 maj. Policia hodhi një bombë kundër oratorëve, duke shkaktuar 8 të vdekur e shumë të plagosur. Të nesërmen, në Miluoki, policët qëlluan sërish kundër manifestuesve (punëtorë polakë), duke vrarë 9 prej tyre.

Vala represive goditi ashpër organizatat sindikaliste dhe politike të punëtorëve. Selitë e tyre u mbyllën e drejtuesit u arrestuan. Për ngjarjet e Çikagos u dënuan me vdekje pa asnjë prove, tetë eksponentë anarkikë. Dy vetëve dënimi iu shndërrua në burgim të përjetshëm, njëri prej tyre u gjet i vdekur në qeli, të tjerët u varën në burg më 11 nëntor 1887. Kështu 1 Maji, i caktuar si ditë për punëtorët me shumë dëshmorë e gjak u bë simbol i luftës për 8 orëshin e punës dhe të drejtave të punëtorëve. Më 20 korrik 1889 Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, i mbledhur në Paris, vendosi të organizojë pikërisht më 1 majin e 1890-ës manifestimin e parë botëror të punëtorëve. Ishte hera e parë që kjo ditë kremtohej njëkohësisht në të gjithë botën, por vazhdoi të shoqërohej me përleshje e viktima.

Vetëm në gusht të vitit 1891, Kongresi tjetër i Internacionales, i mbledhur në Bruksel, mori vendimin që dita e 1 Majit do të kremtohej përgjithmonë e në të gjitha vendet si “festa e punëtorëve, në të cilën ata vetë do të manifestonin së bashku për kërkesat dhe do të tregonin solidaritetin ndaj njëri-tjetrit”. Sot, pas 126 vjitesh, 1 Maji kujtohet në mbarë botën me protesta si Dita e Solidaritetit Ndërkombëtar të Punëtorëve dhe kërkimit të të drejtave të tyre me çdo kusht. Ky është “1 Maji” nëpër botë; I arritur me jetë e gjak punëtorësh.

Në Shqipëri ku kryeministri Rama e quan arritje të madhe dhe krenari mungesën e sindikatave, punëtorët dhe të papunët pasi bëjnë një xhiro me “rroba të mira”, shqetësimin më të madh kanë emrat në listat e PS-së…Ky është “1 Maji” qesharak shqiptarë.

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com