Qyteti i Vlorës u trondit mbrëmjen e së mërkurës nga një atentat mafioz i ndodhur në zonën më të populluar, sheshin e Flamurit, e që ua mori jetën dy personave.
Pronari i një televizioni lokal, Vlora Channel, Erven Hyseni, dhe kreu i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në qytetin e Vlorës, Roland Saliu, mbetën të vdekur pasi ndaj tyre u qëllua me kallashnikov. Persona që janë ende të paidentifikuar nga policia dhe që dyshohet të kenë qenë të maskuar, rreth orës 19:40 zbritën nga një makinë tip BMW dhe qëlluan në drejtim të tavolinës së lokalit ku ishin ulur Hyseni dhe Saliu. Kreu i OSHEE-së mbeti i vdekur në vend, ndërsa pronari i televizionit u transportua menjëherë në spitalin e Vlorës nga kunati i tij, i cili punon operator në televizionin “Vlora Channel”. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve ka qenë e pamundur për të mbajtur në jetë Hysenin, që paraprakisht dyshohet të ketë qenë objektivi i këtij atentati. Biznesmeni ishte i afërm i Akil Rakipit, njërit prej viktimave të masakrës së Çoles, të ndodhur në pril të 2015-ës në Vlorë.
Pasi kanë qëlluar me automatik autorët janë larguar me makinën e cila u gjet e djegur prej tyre në zonën e Panajasë, për të humbur gjurmët. Skena të tmerrshme ishin ato të identifikimit të trupit të pajetë të kreut të OSHEE-së nga të afërmit e tij që erdhën në vendin e ngjarjes. Po ashtu, kjo ngjarja ka shmangur edhe një tragjedi të mundshme, pasi në lokal ka pasur persona të tjerë, ashtu sikundër edhe në trotuar kishte mjaft lëvizje kalimtarësh. Por fati ka qenë me vajzën e të ndjerit Erven Hyseni. Ajo ka qenë jashtë ambjenteve të lokalit ku babai i saj ndodhej, duke luajtur me një biçikletë. Vajza e mitur i ka shpëtuar për mrekulli breshërisë së kallashnikovit.
Për ngjarjen e rëndë Policia e Vlorës ka shoqëruar rreth 20 persona, ndërsa ende nuk ka një pistë të qartë se ku janë përqendruar hetimet.